Claudio Lotito përbën lajm sa herë që flet. I drejtpërdrejtë, pa i zgjedhur kurrë fjalët, presidenti i Lazios thumbon tifozët bardhekaltër, që sipas tij nuk po bëjnë sa duhet për të mbështetur ekipin.
Në ditëlindjen e tij të 65-të, Claudio Lotito, dha opinionin e tij për garën në Serinë A në këtë fund kampionati.
“Ky është një kampionat drithërues, duhet të jemi të gjithë të lumtur, asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë as në krye e as në fund të renditjes, gjithçka është e hapur”.
Sërish “thumba” për tifozët e Lazios, të cilëve u kujton:
“Tifozët duhet të jenë të lumtur, Lazio është i vetmi klub që nuk ka ndryshuar pronësi. Shikoni Romën, Milanin dhe Interin. Ka stabilitet, përtej gjithë marrëzive që shkruhen. Lazio nuk ka asnjë problem. E vetmja gjë pozitive është që unë jam “thesi i boksit” të fansave. Të paktën e dinë ku mund të shfryjnë.”



























