Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër punën që po zhvillohet në “Thumanën e re”, apo zonën ku do ndërtohen shtëpitë kolektive dhe banesat private të qytetarëve që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Në zemrën e tragjedisë së 26 nëntorit të shkuar, ku po hidhet bazamenti i infrastrukturës, pas një mbushjeje masive me gurë dhe gjeotekstil të sipërfaqes, për të garantuar qëndrueshmërinë absolute të lagjes së re mbi tokën ish-kënetore, e ku së shpejti do të nisë ndërtimi i shtëpive, pallateve, shkollës së re, kopshtit e çerdhes, së bashku me një qendër komunitare shërbimesh publike e argëtimi familjar si edhe zonën sportive”, u shpreh Kryeministri Rama.

“Thumana e Re do të ketë edhe një kënd të kujtesës, që do t’u përcjellë brezave mesazhin e fuqisë së solidaritetit shoqëror, për t’u ringritur më të mirë e më të fortë, pas çdo humbjeje e dhimbjeje”, theksoi ai.

“E vetmja gjë që kam merak është këndi i memories për ata që humbën jetën. Të mirëkuptuar janë ato që thonë, akoma, akoma, akoma. Këtu është bërë një punë shumë e madhe që sot nuk duket. Është bërë gërmimi dhe më pas mbushja për t’u niveluar për t’u bërë një zonë solide. Pjesa tjetër vijon me shpronësimet që kërkojnë kohën e tyre. Koha është jo pak, për ato që janë në çadër, por nga pikëpamja e procesit, nga regjistrimi i dëmeve, verifikimet e bëra, aplikimet dhe ankimimet, tek garantimi i financimeve, tek projektimet, tek prokurimet, paralelisht me shpronësimet, firmosja e kontratave dhe fillimi i punës është realizuar me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Këtu faktikisht në vjeshtë do jemi në kushtet kur do kemi të formësuar këtë qytet dhe me ndihmën e Allahut, kur thotë Evis Naçi, t’i lutemi Zotit t’i hapim dyert e para më 26 nëntor”, – tha Rama.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj u shpreh se “për ndërtesat kolektive, ky është investim i buxhetit të shtetit 5.5 milionë dollarë, gati 6 milionë lekë për infrastrukturë tokësore dhe nëntokësore”.

“Ndërsa për shtëpitë individuale nga fondacioni FIRDEUS dhe ju nënshkruani marrëveshjen nesër në Këshillin e Ministrave. Kanë kaluar të gjitha me vendim qeverie, do bëhet procedura e njoftimit, sikurse është bërë dhe në qytetet e tjera. Nga ana financiare gjithçka në rregull”, u shpreh Ahmetaj.