Kreu menaxhues i FMN-së, Kristalina Georgieva u kërkoi sot vendeve të G20-s të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur në favor të vendeve më të varfra, që po përballen me “një goditje të dyfishtë shkatërruese” të shkaktuar nga pandemia.

“Ky është një moment kritik që kërkon veprim urgjent nga ana e G20-s dhe politikëbërësve në të gjithë botën”, tha Georgieva në një postim në blog, e botuar përpara takimit të ministrave të Financave të G20-s në Itali.

“Kombet e varfra përballen me një goditje të dyfishtë shkatërruese: ata rrezikojnë të humbin garën kundër virusit dhe, gjithashtu, mund të humbasin mundësinë për t’u bashkuar në një transformim historik drejt një ekonomie të re të bazuar në themele të gjelbërta dhe dixhitale”, shtoi ajo.

Institucioni i Uashingtonit vëren një “intensifikim” të pabarazive në rimëkëmbjen ekonomike në botë, me SHBA-në dhe Kinën që po regjistrojnë rritje të shpejtë, ndërsa shumë vende janë bllokuar në krizë për shkak të një pandemie që nuk po mbaron, për mungesën e aftësisë për të vaksinuar popullatën e tyre.

FMN vë në dukje se G20 mund të bëjë një ndryshim, si edhe theksoi nevojën për një qasje shumëpalëshe për të ndarë vaksinat, fondet për vaksinat dhe investimet për të përshpejtuar prodhimin e tyre.