Çmimi i naftës është rritur pas vendimit të Uashingtonit për të ndaluar importet e naftës ruse. Një fuçi e naftës “Brent” kushton 131,41 dollarë, 8,21 dollarë më shumë se një ditë më parë, ndërsa çmimi i një fuçie të naftës amerikane të Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit me 7,91 dollarë krahasuar me 127,21 dollarë një ditë më parë.

Një fuçi “Brent” arriti kulmin për një kohë të shkurtër në 139 dollarë, ndërsa çmimi i naftës WTI arriti mbi 130 dollarë të hënën.

“SHBA-ja po ndalon të gjitha importet e naftës së papërpunuar nga Rusia”, njoftoi sot presidenti amerikan Joe Biden, ndërsa Britania e Madhe gjithashtu ka planifikuar të heqë gradualisht importet e naftës ruse deri në fund të vitit 2022.

Vendet e BE-së nuk kanë planifikuar të marrin masa të ngjashme, ndërsa ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck ka paralajmëruar një embargo ndaj naftës dhe gazit rus që mund të çojë në një rënie të rëndë ekonomike në Gjermani dhe Evropë.

Sekretari i Përgjithshëm i OPEC-ut, Mohammed Barkindo, paralajmëroi se prodhimi global i naftës nuk do të mjaftonte për të kompensuar mungesën e furnizimeve ruse. Ndërkohë Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), tha se rezervat shtesë të naftës mund të përdoren nëse do të jetë e nevojshme.