Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu apeloi sërish pasditen e sotme qytetarët të vaksinohen, nisur edhe nga numri në rritje i rasteve të reja ditore të infektimeve.

“Shifrat në rritje të infektimeve ditore na ftojnë të gjithëve për përgjegjësi morale dhe qytetare, për t’u vaksinuar sa më parë ndaj Covid-19, për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës”, u shpreh Manastirliu.
Sipas saj, mbi 1100 vaksinatorë janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve për vaksinimin anticovid, në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi të përqendruar.
“Shfrytëzoje këtë muaj të hapur të vaksinimit masiv për çdo qytetar +18 vjeç, për t’u vaksinuar sa më parë ndaj COVID-19”, tha ministrja.

 

Gushti është muaji i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat mbi 18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar duke u paraqitur me kartën e identitetit.

Për të pamundurit njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’u dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.