Finalizohet pas një hetimi 10-mujor operacioni policor i koduar “Përfitimi”, ku si rezultat janë vënë në pranga 6 shtetas që shisnin medikamente kontrabandë gjatë pandemisë.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka sekuestruar barna të ndryshme, një automjet dhe 6 aparate celular.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi 10-mujor, finalizoi operacionin “Përfitimi”, në kuadër të të cilët u bë arrestimi i shtetasve: B. B, 40 vjeç, administrator i një farmacie; F. M, 39 vjeç, administrator i një farmacie; M. Xh, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë; J. P, 66 vjeç, i punësuar nga shtetasja M. Xh; F. L, 40 vjeç, administrator i një farmacie; B. O, 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë periudhës së COVID-19, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.