Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut synojnë forcimin e bashkëpunimit mes tyre në fushën e mbështetjes financiare për sektorin rural.
Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Eranda Selmanaj priti sot në Tiranë, në një takim pune delegacionin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Republikes së Maqedonisë së Veriut.
Selmanaj tha se, me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Agjencisë homologe të Maqedonisë së Veriut, Remzi Abdullahi dhe stafet respektive, diskutuan rreth finalizimit të aplikimit të projektit IPA CBC (bashkëpunim ndërkufitar), i cili do të shërbejë në përmirësimin e kushteve, infrastrukturës dhe logjistikës së dy institucioneve.
“Tri bashki ndërkufitare, do të përfitojnë qendra informuese për fermerët apo bizneset, si dhe mundësi shkëmbimi informacionesh dhe njohurish mes të dy shteteve”, u shpreh drejtoresha e AZHBR-së.
Sipas saj, bashkëpunimi do të vijojë me nënshkrimin e marrëveshjes midis agjencive të të dy vendeve, me objekt forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në të mirë të bujqësisë dhe zhvillimit rural.



























