Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është përcjellë me mesazhe urimi nga autoritete të ndryshme shtetërore në Tiranë.
Meta: Vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë
Presidenti Ilir Meta përshëndeti zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB.
“Përshëndes zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 65 vite anëtarësi në këtë Organizatë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global”, shprehet ai.
Po ashtu Meta shton se “sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira, por shpreh bindjen se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme”.
Ruçi: Shqipëria në KS, arritje kombëtare
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot pasdite votimin e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB.
“Zgjedhja e Shqipërisë si si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023 është një sukses i merituar i Shqipërisë. Në këtë arritje kanë meritë të gjitha institucionet shqiptare, që jo thjesht lobuan, por ditën të krijojnë perceptime të drejta dhe bindën 175 shtetet anëtare për garancitë që ofron Shqipëria si një kontribuese për demokracinë, zhvillimin dhe paqen. Qeveria shqiptare dhe diplomacia shqiptare kanë meritën e tyre të madhe në këtë proces. Kjo nuk është thjesht një arritje diplomatike, por kombëtare. Vetëm një vend që bind për institucione demokratike zhvillim, stabilitet e siguri, mund të kontribuojë në sigurinë dhe paqen në botë. U shpreh mirënjohjen të gjithë kryeparlamentarëve të vendeve anëtare, të cilët iu përgjigjën lobimeve të Kuvendit dhe kontribuan në votimin për Shqipërinë”, shkruan Gramoz Ruçi.
Ambasadorja Kim: SHBA presin të punojnë me Shqipërinë edhe më ngushtësisht në rajon dhe në botë
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim përcolli urimet e saj.
“Historike: Urime Shqipërisë për zgjedhjen për herë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. SHBA presin të punojnë me Shqipërinë edhe më ngushtësisht në rajon dhe në botë. Urime”, shkruan ambasadorja Kim.
Soreca: Ditë historike për Shqipërinë
Ambasadori i delegacioni të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca e ka konsideruar ditë historike për Shqipërinë zgjedhjen e saj, si anëtare jo e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Ditë historike për Shqipërinë dhe popullin e saj. Urime për zgjedhjen si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, 2022-2023. Presim të punojmë edhe më afër së bashku në adresimin e çështjeve globale”, shprehet ambasadori Soreca. /



























