Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh” janë kryer 1,553,626 vaksinime antikovid në të gjithë vendin.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ndërsa theksoi se vetëm ditën e sotme janë kryer 14 394 vaksinime.
Mbrëmjen e djeshme mbërritën edhe 31,590 doza të tjera të vaksinës Pfizer në Aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në 1,982,130 numrin e vaksinave antikovid të mbërritura në vendin tonë.
Edhe muaji shtator do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar, duke u paraqitur me kartën e identitetit.
Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’u dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.

























