Ish Sekretarja e Shtetit dhe politikania amerikane, Madeleine Albright ka përshëndetur vendimin e Shqipërisë dhe Kosovës për të pranuar strehimin e qindra afganëve, të cilët u rrezikohet jeta pas marrjes së Afganistanit nën kontroll nga talebanët. Ish- Sekretarja shpreson që edhe shtete të tjera të bëjnë të njëjtën gjë dhe të pranojnë strehimin e grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile afgane.
“Ne duhet të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që vendet e tjera të ndjekin këtë shembull”, shkruan Albright në tëitter.
Sot kryeministri Edi Rama i ka thënë “po” kërkesës së SHBA për strehimin në Shqipëri të disa qindra afganëve, që sipas tij, janë nga të parët në listat e ekzekutimeve. Rama thotë se kanë mikpritur kërkesa për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane. Pas Shqipërisë edhe Kosova u ka hapur dyert afganëve, duke pranuar strehimin e tyre pas kërksesës së SHBA. Konfirmimin e ka bërë presidentja Vjosa Osmani e cila thotë se menjëherë pas dakordësimit institucional qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues.
Ndërkohë që SHBA ka filluar evakuimin e anëtarëve të stafit nga ambasada e saj në Kabul dhe afganëve që janë të rrezikuar nga talebanët duke dërguar në Afganistan 5,000 trupa për të ndihmuar në operacion. Nga ana tjetër talebanët kanë mbërthyer Afganistanin, ku kanë hyrë edhe në Kabul, i cili ishte i vetmi qytet që kishte mbetur në duart e qeverisë. Vetë presidenti afgan Ashraf Ghani është larguar nga vendi për në Taxhikistan, për t’i shpëtuar grupit të militantëve islamikë. Talebanët thanë se nuk duan luftë dhe se kush dëshiron të largohet mund ta bëjë atë qetësisht, ndërsa ministri afgan i Punëve të Brendshme Abdul Sattar Mirzakëal tha se do të ketë një “transferim paqësor të pushtetit” te një qeveri kalimtare.


























