Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për organizimin e një kampi rajonal kibernetik me të rinj dhe profesionistë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në datat 19-20 prill.
Ky aktivitet synon krijimin e një rrjeti mes të rinjve, institucioneve dhe aktorëve të tjerë për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira, në përpjekje për të rritur bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë kibernetike.
Kampi Rajonal Kibernetik synon të theksojë nga njëra anë rëndësinë e edukimit dhe orientimit të të rinjve drejt profileve të sigurisë kibernetike që në fazat e hershme të studimeve, dhe nga ana tjetër synon ngritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve rreth çështjeve të lidhura me sigurinë kibernetike, për krijimin e një mjedisi kibernetik sa më të sigurt rajonal.
Në fjalën e mbajtur në hapje të veprimtarisë, zëvendëskryetarja e Prezencës, Clarisse Pasztory, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi rreziqet e mundshme që mund të hasin gjatë lundrimit online.
“Ata duhet të jenë një hap para rreziqeve të ndryshme apo mendjeve kriminale dhe ta përdorin mendjen për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik dhe për forcimin e sigurisë kibernetike të rajonit. Rinia duhet të jetë eksperte e fushës dhe jo të bjerë viktimë e saj”, tha ajo.
Strategjitë rajonale për sigurinë kibernetike, bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë kibernetike, rolet dhe sinergjitë e ekipeve të reagimit ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike (CSIRTs) nga një perspektivë e bashkëpunimit rajonal, sfidat dhe mundësitë që ofron kibernetika për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, si dhe mësimet e nxjerra ishin disa nga pikat kyçe që u trajtuan në ditën e parë të Kampit Rajonal Kibernetik.
Falë kësaj veprimtarie, pjesëmarrësit do të mund të krijojnë lidhje më të ngushta mes komuniteteve të profesionistëve të sigurisë kibernetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.



























