Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffiths kanë mbërritur në qytetin sirian të Alepos, njoftoi OKB-ja.
Alepo, në veriperëndim të vendit, kontrollohet nga qeveria e presidentit sirian Bashar al-Assad.
“Aeroplani i Tedros transportonte rreth 35 tonë pajisje jetike mjekësore dhe një aeroplan i dytë do të mbërrijë brenda dy ditësh”, njoftoi agjencia siriane shtetërore e lajmeve “SANA”.
“Rreth 5 milionë persona besohet se janë prekur nga tërmeti në Siri”, tha sot Iman Shankiti, përfaqësuesja e OBSH-së në Siri.
“Në Alepo, mbi 200 000 persona kanë mbetur pa strehë”, shtoi ajo.
Të paktën 3 553 persona kanë vdekur në të dy zonat e kontrolluara nga qeveria dhe ato të kontrolluara nga rebelët.



























