Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se çdo përshkallëzim në veri të Kosovës mund të sjellë një fund katastrofik, ndërsa nënvizoi se “duam të shikojmë që dialogu i BE-së të arrijë suksese”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Holandë, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, si dhe disa kryetarë shtetesh e qeverish nga vende anëtare të NATO-s, Rama u shpreh se është shumë frymëzuese që të jesh pjesë e NATO-s në këtë kohë.
“Po ashtu, që të shohim që solidariteti, afrimiteti dhe vullneti për të qenë me Ukrainën deri në fund është i palëkundur. Kushdo që mund të vërë bast mbi shanset për të thyer këtë solidaritet dhe për të ndarë NATO-n ka humbur dhe do të humbasë deri në fund”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se “ne gjithashtu mund të diskutojmë edhe për situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor”.
“Në mënyrë më precize në Kosovën veriore ku disa javë më parë ushtarët e KFOR-it u lënduan. Shpresojmë shumë që logjika të mbizotërojë dhe ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse çdo përshkallëzim mund të sjellë një fund katastrofik dhe ne nuk duam të shohim një thyerje në rajonin tonë, që ka bërë shumë punë të mirë deri tani”, tha ai.
Në të njëtën kohë, Rama u shpreh se “duam të shikojmë që dialogu i BE-së të arrijë suksese dhe ne të kemi mbështetjen e plotë të NATO-s që është përgjegjëse për praninë e KFOR-it, si një prani instrumentale dhe kryesore për sigurinë”.