Qeveria synon që sporti dhe disiplinat e tij të përfshihen si lëndë në të gjithë sistemin arsimor shqiptar, që nga shkolla fillore deri në universitete.
“Pas misionit olimpik në Tokio do të ulemi bashkë me komitetin për të hartuar një program të përbashkët për të shpjeguar programin tonë të ri të lidhur me sportin dhe prioritetin e prioriteteve që është sporti për gjimnazet dhe universitetet”, tha Rama.
Kryeministri foli gjatë dorëzimit të flamurit misionit olimpik shqiptar që niset për në Olimpiadën Tokio 2020.
“Kemi hartuar programin tonë për sportin. Uroj që bashkëpunimi me Japoninë dhe ura e komunikimit që kemi ngritur të forcohet edhe falë këtij misioni. Sido që të jetë rezultati nëse ju bëni gjithçka mundeni e keni kryer detyrën”, u shpreh Rama.
Kryeministri e cilësoi absurde heqjen e sportit nga shkollat dhe universitetet për vite me radhë, që sipas tij bëri një dëm të pariparueshëm në vend.

























