Konsultimi publik i Strategjisë së re të nxitjes së biznesit dhe investimeve 2021-2027 vijoi sot në një takim me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, theksoi rëndësinë e një konsultimi publik efektiv, në mënyrë të veçantë me përfaqësues të biznesit, pasi, siç u shpreh ajo, strategjia është hartuar duke pasur në qendër biznesin, të cilën do ta mbështesë në vitet e ardhshme me instrumente të posaçëm.
“Strategjia është e rëndësishme pasi vjen në ndihmë të biznesit në vitet e ardhshme, me instrumente, dhe sepse biznesi, në të gjithë sektorët, ka nevojë për instrumente nxitës dhe mbështetës”, u shpreh Denaj.
Ajo ftoi përfaqësuesit e biznesit të japin sugjerimet e tyre mbi sektorët që mbështeten përmes Strategjisë dhe instrumentet e parashikuara në të.
Objektivi i dokumentit, tha ministrja Denaj, është tejkalimi i situatës së vështirë ekonomike që krijoi në vendin tonë pandemia COVID-19.
Ndërsa rikujtoi se qeveria vuri në dispozicion të biznesit dy garanci sovrane, në mbështetje të biznesit për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia, ministrja theksoi, se tashmë synimi është që transformimi i kompanive dhe biznesit të jetë më i targetuar.
Në këtë kuadër, Denaj tha, se në strategjinë e re janë të përcaktuara disa instrumente financiarë në mbështetje të biznesit në sektorë të veçantë, si në manifakturë apo në turizëm.
“Për të realizuar një transformim do të duhet më tepër kapital, më tepër pajisje, makineri, apo do të duhet dixhitalizim, e në funksion të tyre garancia sovrane për manifakturën, për të kaluar në stadin tjetër, është absolutisht nga instrumentet e parë. Turizmi është sektori i parë i prekur si pjesë e shërbimeve. Ka një ritransformim dhe një rialokim të fuqisë punëtore brenda sektorëve, por nuk mund të themi që aftësia dhe kategorizimi i punonjësve është përkthyer në 100%. Për turizmin nevoja për garanci sovrane do të ekzistojë në të njëjtën masë”, u shpreh Denaj.
Në një kohë që dixhitalizimi po shtrihet në çdo fushë të jetës sonë, ministrja vuri theksin në rëndësinë që ka për biznesin të zhvillohet në përputhje me modelet e reja të zhvillimit teknologjik dhe dixhital.
Në këtë drejtim e për t’i ardhur në ndihmë biznesit, në strategji përcaktohen instrumente lidhur me trajnimet e stafit në disa fusha e sektorë, ku subvencioni për kompanitë do të jetë në masën 100%.
“Trajnimet për disa fusha e disa sektorë do të kenë subvencion 100%. 50 % do të jetë në formën e një subvencioni të drejtpërdrejtë dhe 50 % do të jetë në formën e “taksë-kredit”, që vetë kompanitë të kenë incentivat e tyre që brenda pasqyrave financiare të shkarkojnë shpenzime të tilla, të cilat në të ardhmen u japin mundësinë që dhe të aftësojnë personelin e tyre, por edhe të kenë lehtësi, në rastin konkret, fiskale”, sqaroi ministrja Denaj.
Strategjia, e cila në 6 vite do të kushtojë 78 milionë euro, do të mbështetet në masën e 71% nga buxheti i shtetit.

























