Në ditën e katërt të protestave në Shkup kundër pranimit të propozimit francez, protestuesit kanë thyer xhamat e godinës së Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ndërsa, sipas raportimeve bëhet me dije se në drejtim të godinës qeveritare është hedhur molotov.

Protestuesit i kanë bërë thirrje ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, që të mësojë historinë dhe në pankartat e tyre, emri i tij ishte deformuar në Bugar Osmani.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski tha se 4 policë janë lënduar, teksa shtoi se në protestën e djeshme u tentua eskalimi i situatës.

“Dhuna ndaj atyre që kujdesen për rendin, policisë maqedonase , ndaj institucioneve nuk do të sjell asgjë. Dje kishim tentim për eskalim të situatës, kemi 4 policë të lënduar”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, Spasovski.

Protestuesit kërkojnë që qeveria maqedonase të refuzojë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Sipas tyre, propozimi francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën dhe as historinë maqedonase.