Zhvlerësimi i euros dhe rënia e çmimeve në tregjet botërore të produkteve, që kanë impakt në volumin tregtar, ka ndikuar në treguesit e eksport/importit për muajin prill, krahasuar me një vit më parë, duke qenë se Shqipëria, kryen pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare me vendet e Eurozonës.
INSTAT publikoi sot raportin mbi tregtinë e jashtme për muaji prill sipas të cilit eksportet e mallrave arritën vlerën 34 miliardë lekë, duke u ulur me 19.2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 19.3 %, në krahasim me marsin e 2023-shit.
Ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 75 miliardë lekë, duke u ulur me 3.9 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 7.1 %, në krahasim me mars 2023.
Sipas raportit, deficiti tregtar i këtij muaji është 41 miliardë lekë, duke u rritur me 14.1 %, krahasuar me prill 2022 dhe me 6.4 %, në krahasim me mars 2023.
Për 4-mujorin, eksportet e mallrave arritën vlerën 156 miliardë lekë, duke u ulur me 3.4 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 283 miliardë lekë, duke u ulur me 0.8 %, krahasuar me një vit më parë.
Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë “materiale ndërtimi dhe metale” me 4,9 pikë përqindje, “produkte kimike dhe plastike” me 0.5 pikë përqindje dhe “,inerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 0.3 pikë përqindje.
Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 1.1 pikë përqindje dhe “ushqime, pije, duhan” me 1.1 pikë përqindje
Të dhënat tregojnë se grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 4.4 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 1.1 pikë përqindje dhe “ushqime, pije, duhan” me 0.5 pikë përqindje.
Pozitivisht kanë ndikuar grupet “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4.3 pikë përqindje dhe “produkte kimike dhe plastike” me 1.2 pikë përqindje.

/r.e/



























