Tre persona kanë vdekur sot pas një sërë sulmesh në Nottingham, një qytet në rajonin e Midlands të Anglisë qendrore, sipas Sky News.
Policia rrethoi disa rrugë të qytetit, dhe e konsideroi ngjarjen një incident të rëndë.
Dy persona u gjetën të vdekur në rrugë “Ilkeston Road”, përpara orës 4:00 të mëngjesit të sotëm.
Më pas, policia u thirr në “Milton Street” rreth një milje larg, ku një shofer furgoni kishte tentuar të shtypte tre persona, në atë që policia beson se mund të ketë qenë një incident i planifikuar.
Aktualisht, të plagosurit po trajtohen në spital, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.
Një person i tretë u gjet i vdekur në rrugën “Magdala”, aty pranë.
Oficerët dhe shërbimet e tjera të urgjencës u vendosën në të gjithë qytetin.
Policia arrestoi një 31-vjeçar, i dyshuar për vrasje, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ata shtuan se po punojnë së bashku me policinë kundër terrorizmit për hetimin e ngjarjes.
Rrjeti i tramvajit “Nottingham Express Transit” (NET) tha se ka pezulluar të gjitha shërbimet për shkak të incidenteve të mëdha policore rreth qytetit dhe periferisë.


























