Edhe pse vajzat janë më të kualifikuara se djemtë, sipas të dhënave të INSTAT-it, në një raport diplomimi 64% me 34% , sërish burrat paguhen më shumë se gratë për të njëjtin pozicion pune.
Megjithatë, në 5 vitet e fundit, ekspertët e punësimit vlerësojnë se pabarazia gjinore është në zbehje dhe gratë kanë një rol të rëndësishëm në të ardhurat familjare. Megjithatë, ende vihen re dy grupime shoqërore.
“Po ti referohemi zonave urbane të Shqipërisë ky hendek thuajse nuk ekziston. Ndërkohë në zonat rurale vazhdon ideja që burrat meritojnë të paguhen më shumë. Për shembull sektori i ndërtimit paguan, por 99% e të punësuarve janë burra, ndërsa fasoneritë që punësojnë kryesisht gra, i paguajnë në nivelin minimal”, u shpreh ekspertja.
Rrënjët e mendësisë që burrat meritojnë të paguhen më shumë, e si pasojë vajzat nuk fitojnë mjaftueshëm ende nuk janë shkulur tërësisht, por përparimi i shoqërisë shqiptare vihet re.
Këtë e tregon edhe pjesëmarrja e grave në parlament, si dhe shembujt pozitiv të grave të suksesshme në sipërmarrje.



























