Komisioneri i Bashkimit Evropian, për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Várhelyi deklaroi sot se qeveria po ndërton Shqipërinë për brezin e ardhshëm.

Komisioneri Várhelyi dhe Kryeministri Edi Rama vizituan pasditen e sotme bajpasin e Vlorës, një financim i BE-së nëpërmjet një granti prej 20 milionë eurosh.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas inspektimit, Komisioneri Várhelyi u shpreh se është kënaqësi që rikthehet në Shqipëri, një vend që vazhdon ta befasojë.

“Çdoherë që vij këtu zbuloj diçka të re. Rruga për këtu vërtetë që më la pa frymë, më la shumë mbresa duke parë bregdetin por duke parë edhe gjithë këtë punë që është bërë këtu. Ju po ndërtoni Shqipërinë për brezin tuaj të ardhshëm. Po e bëni gjithë këtë punë në vend të brezave të mëparshëm. Të paktën dy breza të mëparshëm nuk kanë treguar rezultate për atë se cila duhet të ishte jeta moderne, për atë që ka nevojë shoqëria moderne”, tha ai.

Várhelyi theksoi se “nuk ka ekonomi apo shoqëri pa ndërlidhje”.

“Nuk ka ekonomi pa rrugë tregtare, pa rrugë që lehtësojnë tregtinë. Për këtë arsye ne kemi qenë tejet të qartë që prej fillimit. Ne duam të jemi të rëndësishëm duke sjellë mbështetjen tonë në ato pika të rëndësishme në mënyrë që ne të jemi së bashku me rajonin për të ecur përpara. E di që kemi bërë gjithë këtë punë, por kemi bërë shtysën e fundit, kilometrin e fundit në qytete, pasi ne po ulim ndotjen e ajrit, ne po japim edhe këndvështrime të reja. Më parë janë dashur orë për të bërë 20 kilometra rreth qytetit. Tani ajo i mbetet historisë”, tha ai.

Várhelyi shprehu bindjen se në këtë rrugë do të shohim shumë maune, automjete të rënda që shkojnë në rrugët me tregtinë me Greqinë.

“Jam i bindur se do ta lidhim edhe me veriun që të kemi këto rrugë tregtie të lidhura me njëra-tjetrën dhe me pjesë të tjera të BE-së. Për ne konektiviteti, ndërlidhja me njëri-tjetrin është një nga çështjet më të rëndësishme që ka dalë nga Plani i Investimeve Ekonomike, pasi unë e di nga përvoja jonë e Hungarisë se çfarë ndryshimi sjell kjo gjë kur ti ke mundësi të lidhesh me tjetrin”, tha ai.

Komisioneri Várhelyi tha se kjo është pjesë e Korridorit 8, ndërsa u shpreh krenar për punën e bërë nga BERZH dhe BE.

“Komisioni mund të ketë dëshirën dhe fondet, por pa partnerët tanë për t’i vënë ato në zbatim kjo gjë nuk do të ishte e mundur. Kjo tregon se sa e rëndësishme që ne të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Kjo punë është bërë për qytetarët, bizneset, nuk është bërë për ne, nuk është bërë për ndokënd tjetër veç të mirës së përbashkët shqiptare dhe evropiane. Shpresoj shumë që kjo të jetë nga ato gjërat e para që ne bëjmë së bashku. E para në një listë shumë të gjatë, në një zinxhir shumë të gjatë që do të lidhë Shqipërinë jo vetëm sa i përket rrugëve, por edhe hekurudhave, energjisë, apo energjisë së gjelbër, si edhe ndërlidhjeve digjitale apo edhe për të krijuar më shumë vende pune në zona të ndryshme të vendit”, tha ai.

Várhelyi tha se kjo tregon edhe vlerën e madhe të planit të investimeve ekonomike që BE ka bërë dhe ka ideuar së bashku me qeverinë e Shqipërisë.

“Për mua kjo do të thotë që ne duhet të përshpejtojmë punën, sepse plani i investimeve ekonomike ka tashmë 2 vjet që ka filluar. Ne duhet t’i përshpejtojmë gjërat dhe duhet të tregojmë më shumë rezultate në shumë projekte. Kjo shkon paralel me reformat. Inkurajoj Shqipërinë që të përshpejtojë punën edhe në këtë fushë”, shtoi ai.