Gjatë fjalimit që mbajti menjëherë pas betimit si Presidenti i 46-të i SHBA-së, Joe Biden, duke iu referuar gjendjes së tanishme të Amerikës, vuri në dukje se vendi ka “shumë për të rregulluar, shumë për të shëruar, shumë për të ndërtuar dhe shumë për të fituar”.
Ndërsa numri i viktimave nga koronavirusi kapërceu 400,000 këtë javë, Biden vuri në dukje se “pak njerëz në historinë e kombit tonë janë sfiduar më shumë ose kanë gjetur një kohë më sfiduese ose më të vështirë sesa koha në të cilën ndodhemi tani”.
Duke folur posaçërisht për pandeminë Covid-19, Biden iu referua si “virusi një herë në një shekull, që ka goditur në heshtje vendin. “Janë humbur aq shumë jetë në një vit sa Amerika humbi në të gjithë Luftën e Dytë Botërore”, u shpreh Biden, raporton CNN.
“Në veprimin tim të parë si President, unë do të doja t’ju lutesha të bashkoheni me mua në një moment lutjeje të heshtur për të kujtuar të gjithë ata që humbëm vitin e kaluar në pandemi”, tha Biden.
“Ata 400,000 shokë amerikanë, nënat, baballarët, burrat, gratë, djemtë, vajzat, miqtë, fqinjët dhe kolegët e punës. Ne do t’i nderojmë ata dhe do të bëhemi populli dhe kombi që ne e dimë se mundemi dhe duhet të jemi,” vazhdoi Biden.
Por mes toneve të dhimbjes pasi “miliona vende pune janë humbur”, Biden ofroi shenja shprese.
“Për të kapërcyer këto sfida, për të rikthyer shpirtin dhe për të siguruar të ardhmen e Amerikës, duhen shumë më tepër sesa fjalët. Kjo kërkon më të vështirën nga të gjitha gjërat në një demokraci: unitetin”, u shpreh Biden.

























