Një grup i vogël individësh jashtëzakonisht të pasur mund të ndihmojë në përballimin e urisë në botë me vetëm një pjesë të vlerës së tyre neto, tha drejtori i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP).
“Gjashtë miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz që do të vdesin nëse nuk i arrijmë. Kjo nuk është e komplikuar“, shtoi ai.
Oxfam bëri të ditur se rreth 155 milionë njerëz në të gjithë botën aktualisht jetojnë me pasiguri për qasje në ushqim.
Musk, shefi ekzekutiv i Tesla-s, ka një vlerë neto prej afro 289 miliardë dollarësh, sipas Bloomberg, që do të thotë se Beasley po kërkon një dhurim prej vetëm 2% të pasurisë së tij.
Pasuria neto e miliarderëve amerikanë pothuajse është dyfishuar që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit dhe arriti në 5.04 trilionë dollarë në tetor, sipas Institutit për Studime Politike dhe Amerikanëve për Drejtësinë Tatimore.
“Stuhia e përsosur” e disa krizave, siç janë ndryshimi i klimës dhe pandemia COVID -19, do të thotë që shumë shtete “po trokasin në derën e urisë“, tha Beasley.
Gjysma e popullsisë së Afganistanit, një vend prej 22.8 milionë banorësh, po përballet me një krizë akute urie, sipas një raporti të WFP-së, të 25 tetorit.
Papunësia e madhe dhe kriza e likuiditetit nënkuptojnë se vendi është në prag të një krize humanitare dhe 3.2 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç janë në rrezik, përfundon raporti./REL/



























