Ministrja e Arsimit Besa Shahini, ka deklaruar se vendimi për skenarin e fillimit të ri të shkollës do të vendoset nga Task-Forca për Koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë.
Nëpërmjet një video-mesazhi Shahini është shprehur se “në momentin e parë që të kemi një orientim nga Task-Forca për Koronavirusin se në çfarë forme do të mund të fillojë ky vit shkollor, ne do t’i bëjmë të gjithë konsultimet e nevojshme me këshillat e prindërve, me sindikatat dhe parlamentin e nxënësve dhe do t’ju informojmë çdo ditë për vendimmarrjen, si dhe për mënyrën se si do të zbatohet plani ynë për fillimin e vitit të ri shkollor”.
Më tej ajo ka thënë se mësimi në kushte shtëpie është i vështirë, por është i domosdoshëm kur shkollat nuk mund të hapen dot. Ajo u ka bërë thirrje nxënësve dhe mësuesve që të respektojnë rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Dhe kjo është e rëndësishme, sepse ju kam dëgjuar me shumë kujdes: shumica e nxënësve, prindërve dhe mësuesve duan të kthehen në shkollë. Mësimi në kushte shtëpie është i vështirë. Është i domosdoshëm kur nuk mund të kthehemi në shkollë, mirëpo është i vështirë. Ndaj, ju lutem, të ruani distancën, mbani maskat dhe higjienën në mënyrë që të rrisim shanset për t’u kthyer në bankat shkollore”, tha Ministrja Shahini.
/Shqiptarja.com



























