Ish-kancelari austriak Wolfgang Schüssel ka dhënë dorëheqjen nga bordi mbikëqyrës i kompanisë ruse të naftës ‘’Lukoil’’ për shkak të luftës në Ukrainë.

“Unë kam qenë gjithmonë i përkushtuar për të siguruar një marrëdhënie konstruktive midis BE-së dhe Rusisë, por me pushtimin e dhunshëm të Ukrainës, mënyrën e pamëshirshme të luftës dhe bombardimin e civilëve, Rusia e ka kaluar kufirin’’, theksoi ai.

Schüssel tha se ‘’i kaloi ditët e fundit duke punuar me Lukoil në një deklaratë në mbështetje të përfundimit të luftës’’. Schüssel ishte kancelar i Austrisë nga viti 2000 deri në 2007.

Në ditën e parë të pushtimit rus, edhe ish-kancelari Christian Kern dha dorëheqjen nga bordi mbikëqyrës i kompanisë ruse të hekurudhave RZD.