Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka sjellë në vëmendje vlerat në arsim, përmes shembullit të mësuese Fiqerete Aliu nga Kavaja.

Sipas Kushit, falë përkushtimit në punë të mësuese Fiqerete, nxënësit e maturës shtetërore gjithmonë kanë marrë rezultate shumë të mira.

“Sa herë e pyesin zysh Fiqereten nëse ndihet e lodhur, ajo përgjigjet me buzëqeshje: “Jo! Unë e dashuroj profesionin tim. Nxënësit më bëjnë të ndihem shumë mirë. Puna me ta është art më vete”, shprehet ajo.

Sipas ministres, në 37 vite pune, mësuese Fiqeretja ka reflektuar vlerat më të mira profesionale e njerëzore.

Ajo ka 37 vite punë si mësuese e gjuhës angleze dhe 31 prej tyre në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” të Kavajës. Përvoja e spikatur e zysh Fiqeretes është “shkollë” më vete për çdo nxënës e koleg të sajin, sepse gjithmonë ka reflektuar vlerat më të mira profesionale e njerëzore’’, thotë Kushi.

“Përkushtimi i saj në punë është shoqëruar gjithmonë me rezultate shumë të mira të nxënësve në provimet e Maturës Shtetërore. Ndërkohë, ajo gëzon edhe një përvojë shumëvjeçare me vullnetarët e Korpusit të Paqes, teksa aktivitetet e organizuara janë të paharrueshme për nxënësit e saj.

Faleminderit zysh Fiqerete për çdo moment angazhimi me shpirt që ja dedikon mësimdhënies’’,vijon më tej ministrja.