Kryetari i delegacionit të PE në Komitetin e Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Manolis Kefalogiannis, ka uruar dhe përgëzuar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit. Teksa i konsideron zgjedhjet të qeta Kefalogiannis vlerëson se procesi i ishte i mirorganizuar, pavarësisht sfidave.
Kefalogiannis shton se organizimi i suksesshëm i këtij procesi zgjedhor është një hap i rëndësishëm drejt pranimit të vendit tonë në BE, ndërsa thekson se Parlamenti Europian mbështet Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE.
Në letër, Kefalogiannis shkruan se dita e zgjedhjeve ishte një ditë e qetë dhe pozitive teksa përshëndet edhe shqiptarët për pjesëmarrjen paqësore.
“Do të doja t’ju përgëzoja ngrohtësisht për procesin e mirëorganizuar zgjedhor, i cili përfundoi në një ditë të qetë dhe pozitive të zgjedhjeve parlamentare në 25 prill 2021”, shkruan ai, duke shtuar urimet për popullin e Shqipërisë për pjesëmarrjen e tyre paqësore në këto zgjedhje.
“Më lejoni të vlerësoj organizimin e mirë të zgjedhjeve parlamentare pavarësisht sfidave të paraqitura nga një legjislacion zgjedhor i rishikuar në kontekstin e një pandemie globale. Organizimi i suksesshëm i këtij procesi zgjedhor është një hap shumë i rëndësishëm në rrugën drejt pranimit të vendit tuaj në Bashkimin Europian, një hap që duhet të ndiqet nga zbatimi i plotë i rekomandimeve të formuluara nga misioni OSBE-ODIHR. Ju mund të jeni të sigurt se Parlamenti Europian mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Si kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, unë mezi pres për të vazhduar bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe të frytshëm me Parlamentin e sapozgjedhur”, shkruan ai.



























