Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka dekretuar 17 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve i është dorëzuar Komisionit Shtetëror Zgjedhor, si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë, që do të merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, sipas Radio Evropa e Lirë.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka bërë të ditur se është i përgatitur për organizimin e zgjedhjeve. Sipas KSHZ-së, ka nisur procedura për prokurimin e pajisjeve të votimit elektronik, apo përdorimin e gishtërinjve gjatë votimit.
Megjithatë, mbetet ende e pasigurt nëse zgjedhjet do të zhvillohen sipas Kodit aktual Zgjedhor apo do të miratohen ndryshimet që parashikojnë prag zgjedhor për kandidatët e pavarur dhe lista të hapura për zgjedhjen e këshilltarëve komunalë.
Nëse një listë e pavarur dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, detyrohet që të mbledhë 2 për qind të firmave të votuesve, gjë që ka nxitur reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski i cili nuk ka dekretuar ligjin, duke kërkuar uljen e numrit të nënshkrimeve.
Partia opozitare maqedonase “E Majta” ka dorëzuar 770 amendamente për të kundërshtuar ligjin e qeverisë, të cilin e vlerëson si përjashtues për listat e pavarur.
Zgjedhjet lokale duhej të mbaheshin në shtator, por u shtyn për një muaj për shkak se në shtator duhet të mbahet regjistrimi i popullsisë, i cili po ashtu është shtyrë për në vjeshtë për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike me COVID-19 në prill, kur ishte paraparë të realizohej regjistrimi i popullsisë.
Top Channel



























