Zjarri në Gumenicë, që ka ardhur nga fshati Gjorm i Vlorës është neutralizuar dhe aktualisht nuk ka asnjë rrezik për banesat, ndërsa të gjithë banorët u evakuuan në kohë.
Në një intervistë televizive, Nënkolonel Dritan Muka tha se “në këtë fshat nuk ka asnjë banesë të djegur dhe se është bërë i mundur neutralizimin e 6 vatrave që rrezikonin seriozisht banesat në këtë fshat”.
Nënkolonel Muka u shpreh se puna në terren ka qenë tepër e vështirë për shkak të erës”.
“Në Gumenicë të sipërme dhe të poshtme u aktivizuan disa vatra zjarri. Disfavori për ne ishte era. Veprimi i parë që u bë ishte evakuimi në kohë i banorëve që të mos rrezikohej jeta e tyre. U bë lokalizimi i 6 vatrave në këtë fshat që rrezikon seriozisht banesat, më pas hyri në punë helikopteri, dhe u bë e mundur të lokalizoheshin dhe të mos digjej asnjë banesë dhe as të mbjellat e banorëve”, tha nënkolonel Muka.
Ai tha “nuk kemi asnjë banesë të djegur dhe as jetë të rrezikuar”.
Për nënkolonel Mukën, tashmë situata varet nga era nëse do të riaktivizohet sërish apo jo. Ai tha se situata do të monitorohet edhe gjatë natës.
“Shpejtësia e erës është premisë që flakët mund të aktivizohen, shpresojmë të mos ketë riaktivizim. Me zjarre masive jemi hasur gjatë gjithë kohës, por terreni këtu në Dukat e Llogora ka qenë tepër i vështirë, dhe ndërhyrja me trupa tokësore në vende të tilla është tepër e vështirë”, tha ai.


























