Në aktivitetin e organizuar me këtë rast në Tiranë, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta.
“Sot është një ditë historike sepse mbushen 100 vjet nga kongresi i parë i Bektashinjve në Skarapar, më 17 janar 1921, një vit pas kongresit historik të Lushnjës, personalitete nga më të shquarit atdhetarë, kurorëzuan me sukses një prej kauzave më të rëndësishme atë të besimit, duke i dhënë frymë besimit bektashianë. Kjo ngjarje shënon një moment kyç në konsolidimin e shtetit. Udhëheqësit bektashianë të asaj kohe e patën kuptuar se zoti dhe kombi përbënin një lidhje unike të jashtëzakonshme. Roli i teqesë së Frashërit është i njohur për të gjithë, sidomos në ndikimin dhe formimin atdhetar të tre rilindësve tanë, vëllezërit Frashëri. Kongresi miratoi statutin e parë të këtij guri të fortë themeli, në zhvillimet e ardhshme të selisë bektashiane. Përmes neneve të këtij statuti u sanksionuan shumë të drejta”- tha në fjalën e tij Presidenti.Meta u shpreh krenar që Selia e Shenjtë Bektashiane jo vetëm ngriti rrugën dhe eci e sigurt në gjurmët e Kongresit të Parë, por edhe është shndërruar në faktor aktiv të vëllazërisë fetare në Shqipëri e Ballkan.



























