“Mirëmëngjes dhe me transformimin rrënjësor të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Laç që mbulon Lezhën dhe Mirditën ku kryhen 111,000 shërbime në vit për 55,000 drejtues mjetesh, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Investimi ka përfshirë rehabilitimin e të gjithë territorit duke përfshirë dhe rrugën hyrëse, jep zgjidhje përfundimtare për problemin e përmbytjes duke krijuar rrjetin inxhinierik, drenazhim dhe sigurim të rrethimit.
Po ashtu, garantohet ndërtim i ri me standarde dhe cilësi të lartë, sisteme sigurie, ndriçim oborri, hapësirë e dedikuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e arkivës në kushte optimale për ruajtjen e dokumenteve, sallë të re të regjistrimit dhe të drejtuesve të mjeteve.
Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Laç ishte në gjendje të amortizuar, pasi për shkak të shirave ishte përmbytur disa herë duke rrezikuar godinën dhe kushtet e punës sallat e shërbimit dhe arkivat.



























