/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot Nënë Terezën në 111-vjetorin e lindjes.
“Mirëmëngjes dhe me këtë foto të Nënë Terezës së shenjtë në ditën e lindjes së saj, ju uroj një ditë të paqtë si vetë ajo”, – thekson Rama.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ajo tërë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke i ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë.
Në vitin 1979 ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në Tribunën e Oslos. Siç i referohet një artikull i posaçëm i “Radio Vatikanit”, mbi këtë çmim të madh të dorëzuar ndaj saj prej jurisë ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Suedisë, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e pranoi çmimin vetëm, pasi një pranim i tillë do t’u vlente shumë të varfërve të saj.
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Për vlerat e saja jetësore, Nënë Tereza nga Kisha e Shenjtë në Vatikan u shpall Shën Tereza.


























