Nga Edlira Xherri

Si sot, më 2 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit nisi një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare – Kongresi i Elbasanit, i njohur ndryshe edhe si “Kongresi i Shkollave Shqipe”.

Punimet e Kongresit zgjatën nga data 2 deri më 9 shtator 1909 dhe bashkuan në Elbasan 35 delegatë që përfaqësonin 28 klube e shoqëri patriotike, si brenda ashtu edhe jashtë trojeve shqiptare.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin figura të shquara të lëvizjes kombëtare dhe të arsimit shqiptar, mes tyre Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj dhe Sevasti Qiriazi, Ahmet Dakli, Refit Toptani, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Andrea Konomi, Idhomen Kosturi, Kahreman Vrioni e shumë të tjerë.

Kongresi hartoi një program arsimor e kulturor me synim njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në sistemin arsimor, përhapjen e mëtejshme të shkollimit në gjuhën amtare dhe themelimin e një shkolle të mesme në Elbasan. Kjo u realizua pak më vonë me hapjen e Normales së Elbasanit – shkolla e parë kombëtare për përgatitjen e mësuesve shqiptarë.

Vendimet e Kongresit i dhanë hov lëvizjes për arsimin kombëtar. Në vijim të tyre, më 20 shtator 1909, në Korçë u krijua Shoqëria qendrore shkollore “Përparimi”, me në krye patriotët Orhan Pojani, Stavri Karoli, Idhomen Kosturi dhe Mihal Grameno.

Kongresi i Elbasanit mbetet një nga gurët e themelit të konsolidimit të identitetit kombëtar shqiptar përmes arsimit dhe një pikë referimi në historinë e kulturës sonë.