Më 19 dhe 20 nëntor 2025, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, së bashku me selinë e tij në Elbasan, zhvilloi ceremonitë solemne të diplomimit për 25 studentët e programit të studimit Infermieri. Dy ditë të mbushura me emocion, vlerësim dhe krenari përmbyllën një kapitull të rëndësishëm të formimit të këtyre të rinjve, të cilët tashmë janë gati të hyjnë në profesionin fisnik të kujdesit shëndetësor.

 

Një ceremoni solemne me standarde ndërkombëtare

 

Diplomimet u zhvilluan në një atmosferë të ngrohtë, por njëkohësisht solemne, ku u theksua cilësia e lartë akademike dhe profesionale e programit. Një komision i përbashkët vlerësues, i përbërë nga profesionistë të infermierisë nga Shqipëria dhe Italia, udhëhoqi procesin e diplomimit. Mes tyre ishin edhe docentë të Universitetit “Tor Vergata” të Romës – partner historik i Universitetit Katolik në zhvillimin e programeve shëndetësore.

 

Gjatë ceremonisë, komisioni dhe pedagogët vlerësuan rezultatet e larta të studentëve, përkushtimin e tyre gjatë viteve të studimit dhe performancën e shkëlqyer si në auditorë, ashtu edhe në praktikën klinike. Fjalimet përshëndetëse nënvizuan jo vetëm aftësitë teknike dhe profesionale, por edhe formimin etik, human dhe empatik – vlera të pandashme të profesionit të infermierisë.

 

Ceremonia solli në vëmendje bashkëpunimin e gjatë e të suksesshëm mes Shqipërisë dhe Italisë në edukimin shëndetësor. Përfaqësuesit italianë vlerësuan progresin e programeve dhe standardet e larta të praktikës profesionale në Shqipëri, ndërsa pala shqiptare shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe ekspertizën e ndarë ndër vite. Ky partneritet u cilësua si një shembull i shkëlqyer bashkëpunimi ndërvëllazëror që synon forcimin e profesioneve shëndetësore në të dy vendet.

 

Diplomimi i 25 infermierëve të rinj shënon një hap tjetër të rëndësishëm në misionin e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” për të përgatitur profesionistë të aftë të përballen me sfidat bashkëkohore të shëndetësisë. Dy ditë ceremonish lanë pas shpresë, gëzim dhe besim se e ardhmja e kujdesit shëndetësor është në duar të sigurta.

 

Dhe siç e do tradita, studentja me rezultatet më të larta në program lexon betimin e Infermierëve. Këtë vit, nderi iu besua studentes Irina Salla, e cila në degën e Elbasanit është dalluar për inteligjencë, seriozitet dhe përgatitje të shkëlqyer profesionale.