ATSH/ – Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi sot një seancë dëgjimore me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Veliu bëri një pasqyrë lidhur me masat e marra përgjatë situatës së pandemisë, në zbatim të akteve normative dhe sqaroi se angazhimi i policisë për këtë situatë të jashtëzakonshme, ka nisur që në muajin janar.
Në kuadrin e punës parandaluese, Veliu, listoi një sërë masash organizative, duke nisur nga krijimi i taskforcave, masat e marra në vendkalimet kufitare në brezin e gjelbër dhe Aeroportin e Rinasit, pregatitja e protokolleve për parandalimin e përhapjes së infeksionit të Covid-19, përcaktimin e regjimit të karantinimit dhe detyrave të qarta për çdo strukturë dhe punonjës.
“Me fillimin e pandemisë dhe shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Policia e Shtetit kaloi në një riorganizim të saj dhe masat u morën në disa plane; atë për të mbrojtur efektivët dhe personelin e policisë dhe kryerjen me rigorozitet të të gjitha detyrave sipas akteve normative, duke përcaktuar rregulla, për krijimin e një regjimi të posaçëm në mjediset e punës, të të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 25 punonjës policie të prekur me covid-19, të cilët janë ndjekur nga mjeku i familjes, 9 prej tyre janë shtruar në Spitalin Infektiv dhe tashmë janë të shëruar plotësisht”, tha mes të tjerash Veliu.
Veliu raportoi dhe lidhur me situatën e kriminalitetit përgjatë vitit 2019, për të cilën theksoi se gjatë këtij viti janë evidentuar gjithsej 35210 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 30249 vepra ose 85,9% e tyre dhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018, janë evidentuar 742 vepra penale më shumë.
“Në vëmendjen tonë, mbetet përmirësimi i treguesve të punës për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit” tha Veliu, i cili më tej bëri një pasqyrim të gjerë të situatës dhe punës së policisë në lidhje me luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, trafikut të drogës, dhunës në familje, përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, me qëllim përmbushjen e misionit të policisë.
Veliu, iu përgjigj pyetjeve të shumta dhe interesimit të anëtarëve të komisionit, në lidhje me punën e Policisë.
Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës WEBEX.
/gj.m/j.p/