ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishte sot në spitalin e Krujës, ku pa nga afër gjendjen shëndetësore të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe po vijojnë të marrin shërbim në këtë spital.
Ministrja informoi se nga dita e dielë dhe deri më sot në spitalin e Krujës janë paraqitur rreth 370 qytetarë me gastroenterit, që kanë marrë shërbim.
“Kam folur me mjekët për gjendjen e tyre shëndetësore. Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione. Pra nuk kemi ndonjë qytetar që ka një gjendje të komplikuar shëndetësore.
Praktikisht nga dita e dielë dhe deri më sot rreth 370 qytetarë kanë marrë shërbim. Janë paraqitur pranë spitalit të Krujës, kanë marrë shërbimin e nevojshëm. Janë vizituar, janë konsultuar dhe gjithashtu kanë marrë shërbime sipas protokolleve të mjekimit”, njoftoi Manastirliu.
Aktualisht, ajo theksoi se “gjatë ditës së sotme janë paraqitur rreth 60 qytetarë”. “Pasi janë vlerësuar nga mjekët, edhe ata kanë marrë shërbimin dhe janë nisur për në shtëpi pasi është vlerësuar që situata shëndetësore nuk ka qenë e rënduar. Tashmë janë dhe disa pacientë të tjerë të cilët janë duke marrë shërbim pranë shërbimit të Urgjencës dhe gjithashtu në disa pavione. Janë rreth 30 qytetarë aktualisht, janë adoleshtë edhe fëmijë gjithashtu edhe të rritur”, tha Manastirliu.
Përsa i përket investigimit apo hetimit epidemiologjik që po kryhet, Ministrja theksoi se “që në momentin e parë që ne jemi njohur me ngjarjen, sinjalizuar nga spitali i Krujës, të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, por gjithashtu edhe ato të Bashkisë, të Prefekturës, të Policisë së Shtetit, tashmë janë duke kryer të gjitha investigimet në të gjitha pistat e mundshme”.
“Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik, Operatori Kujdesit Shëndetësor dhe gjithashtu edhe ekspertët tanë janë duke investiguar në të gjitha pistat”, tha ajo.
Manastirliu tha se “të gjitha rastet që janë paraqitur, janë paraqitur me gastroenterit”. “Janë marrë të gjitha mostrat dhe analizat laboratorike, janë marrë ato të ujit, janë marrë gjithashtu edhe të ushqimeve. Janë një seri pistash të cilat janë duke u investiguar.
Hetimi epidemiologjik po bëhet në të gjithë aspektet. Janë duke u pyetur të gjithë qytetarët çfarë kanë konsumuar apo se si paraqitet situata e tyre”, tha ajo.
Manastirliu shtoi se pritet rezultati i analizave mikrobiologjike. “Rezultati i analizave mikrobiologjike ka një afat të përcaktuar nga 24-72 orë, sepse janë dhe analiza të tjera që kanë lidhje me bakteret, të cilat duhen kohën e tyre për të dalë si analiza. Në momentin që ne do të kemi rezultatet e analizave përfundimtarë do të kemi një raport të detajuar që do e ndajmë me ju”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Manastirliu garantoi që i gjithë sistemi shëndetësor këtu në Bashkinë e Krujës është në gatishmëri të plotë.
“Ne kemi marrë masat që nëse do të ketë raste të shtuara jo vetëm ky spital, por edhe spitali i Durrësit mund të vendoset një pavion në gatishmëri për rastet. Nga ana tjetër edhe qendra shëndetësore 24 orëshe është gjithashtu në operim të plotë për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari”, tha ajo.
“Hetimi epidemiologjik bëhet në shumë pista në mënyrë që ne të kemi të kontrolluar të gjithë aspektin e kujdesit shëndetësor publik i cili ka disa pista. Këto pista janë duke u hetuar dhe janë të gjitha strukturat e shëndetësisë por edhe ato të Bashkisë, Prefekturës të cilat janë duke bashkëpunuar së bashku në mënyrë që të kemi një analizë sa më të plotë dhe raporti përfundimtar sigurisht të jetë sa më i shpejtë”, tha ajo.
Të gjitha grupet e ekspertëve përkatës të shëndetit publik (ISHP, ISHSH, OSHKSH,) janë në terren, në monitorim dhe ndjekje dinamike të situatës së krijuar në Krujë, ku që prej shfaqjes së rasteve të para, kanë marrë shërbim ditor rreth 370 pacientë. Aktualisht 30 pacientë po marrin shërbim në urgjencë dhe pavionet e spitalit të Krujës. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është e stabilizuar.
/m.m/



























