ATSH/ Mirlinda Karçanaj, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), deklaroi sot se, “janë 4.1 milionë litra naftë që do të përdoren nga fermerët dhe kjo do të ndikojë ndjeshëm në uljen e kostos së prodhimit të tyre”.

Në fjalën e saj në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në aktivitetin promovues për kartën e naftës për fermerët, Karçanaj, u shpreh se, “të gjithë jemi dëshmitarë të arritjeve që bujqësia shqiptare ka pasur në këto vite. Investime të mëdha në serra, në agropërpunim, në makineri. Të gjitha këto të bëra në çdo cep të Shqipërisë. Përballë këtij realiteti të ri qeveria shqiptare vendosi të investojë në teknologji, duke bërë të mundur që t’i përgjigjemi më mirë nevojave të fermerëve”.

“Në të kaluarën skemat kombëtare mbështetëse ishin në nivel korruptimi, kurse këtë vit dhe 4 vitet e kaluara, kemi një ndryshim shumë të madh. Dikur nafta falas nuk shkonte në makineritë e fermerëve, por shkonte në makinat e zyrtarëve të korruptuar. Ndërsa tani me investimet në teknologji, u bë e mundur që fermerët të shërbehen me dinjitet dhe me transparencë”, tha ajo.

“Në 4 vitet e fundit, fermerët kanë përdorur portalin e-Albania, për të marrë shërbimin e tyre për t’u mbështetur nga skemat mbështetëse. 2 vitet e para u ndihmuan nga agro-pikat. Në 2 vitet e fundit nëpërmjet portalit e-Albania, me zero dokumente, pa shkuar zyrë më zyrë, pa takuar inspektorë bujqësor apo zyrtarë partish, kanë marrë suportin e tyre. Ka qenë platforma e ndërveprimit, e cila ka bërë në back-ground të gjithë punën sipas ligjit, jo sipas humorit të ndonjë zyrtari pas tavolinës”, theksoi Karçanaj.

“Me mbështetjen e ministrisë së Bujqësisë, për herë të parë këtë vit u mundësua mbështetja e fermerëve me naftë falas. Aplikimi edhe në këtë rast ishte shumë i thjeshtë. Fermerit, nuk i duhej asgjë veç niptit të tij. Logohej në e-Albania dhe për 1 minutë arrinte të mbyllej aplikimi”, tha ajo.

Por, shtoi Karçanaj aplikimi ishte vetëm pjesa që shihej. “Aplikimet kishin nga mbrapa një sistem të integruar, atë të shpërndarjes së naftës. Sistemi bëri të mundur, jo vetëm t’i presë aplikimet, por edhe t’i shqyrtojë ato nga agjencitë rajonale dhe në bazë të algoritmeve të përcaktuar, edhe të përcaktojë sasinë e naftës që subjekti përfitonte, bazuar në deklarimin që ai bënte për sipërfaqen e tokës së mbjellë dhe të kulturave përkatëse. Çdo subjekt përfitues merrte 70-100 litra naftë për hektar, bazuar në vetëdeklarimin e tij”, tha Karçanaj.

“Sistemi bëri të mundur gjithashtu që të ndiqen të gjitha kartat e shpërndara për subjektet përfituese, por edhe të gjurmohet sasia e naftës që tërhiqej nga çdo fermer. Sistemi ndërvepronte me sistemin e Kadastrës, duke krijuar goxha lehtësi sepse çdo AMTP e vjetër, apo dokument pronësie apo qiraje nuk kishte nevojë të rifreskohej, pasi Ministria bashkë me Kadastrën me kosto zero e bënte këtë për fermerin”, shtoi Karçanaj.

“Në përfundim të procesit janë 4.1 milionë litra naftë që do të përdoren nga fermerët dhe kjo do të ndikojë ndjeshëm në uljen e kostos së prodhimit të tyre”, theksoi ajo.

“E-Albania ka ndihmuar fermerët për t’u mbështetur dhe nga skemat mbështetëse dhe nga skema e naftës. Sistemet janë aty dhe do të përdoren çdo vit duke u përmirësuar”, nënvizoi Karçanaj.

“Në të ardhmen e afërt planifikojmë të punojmë me zhvillimin e sistemeve smart villages, të cilët do të bëjnë të mundur përdorimin e optimizuar të burimeve natyrore në mënyrë që të kemi një prodhim më të lartë dhe ndikim më të ulët në mjedis. Zhvillimi i këtyre sistemeve do të bëjë të mundur dhe gjenerimin e energjisë së ripërdorshme, pikërisht nga zhvillimi i agro-kulturave”, tha Karçanaj. /j.p/r.e/