ATSH/- 400 veterinerë të rinj i shtohen shërbimit veterinar në të gjithë territorin e vendit, që i vijnë në ndihmë fermerëve për vaksinimin falas dhe matrikullimin e bagëtive.
Zv.ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi, gjatë një interviste televizive tha se, miratimi në Kuvend i Ligjit të ri për “Shërbimin Veterinar”, hedh themelet për një shërbim veterinar shtetëror të riorganizuar, të rifuqizuar dhe të denjë për të hapur një kapitull të ri në shërbim të fermerëve dhe blegtorëve në të gjithë vendin.
“Ligji i ri siguron vaksinim dhe matrikullimin të kafshëve bujqësore, falas për fermerin dhe praninë e një veterineri në çdo njësi administrative, që garanton kontroll dhe monitorim non sop të situatës epizotike në blegtorinë e zonës që mbulon”- tha Gjeçi .