Ekspertët e shëndetit theksojnë se disa zakone të vogla të përditshme mund të kenë ndikim të madh në jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës.
Studime të ndryshme kanë identifikuar pesë “sfida” të thjeshta, të cilat, nëse ndiqen rregullisht, ndihmojnë trupin të qëndrojë më i shëndetshëm dhe më rezistent ndaj sëmundjeve.
Sfida e parë lidhet me mëngjesin dhe aktivitetin fizik. Personat që konsumojnë mëngjesin rregullisht kanë tendencë të marrin më shumë vitamina dhe minerale thelbësore, ndërsa shmangin yndyrat e dëmshme dhe kolesterolin e tepërt.
Kombinimi i mëngjesit me ushtrime fizike, qoftë edhe të lehta, konsiderohet nga specialistët si një “ilaç natyral” për shëndetin.
Sfida e dytë ka të bëjë me shtimin e peshkut dhe omega-3 në ushqim. Peshku është një burim i shkëlqyer proteinash dhe yndyrash të shëndetshme.
Sipas hulumtimeve, konsumimi i rregullt i peshkut dhe vajit omega-3 ul ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Peshq si salmoni, skumbria, sardelet, harenga dhe toni albakore janë veçanërisht të pasur me këto acide yndyrore të dobishme.
Sfida e tretë fokusohet te higjiena dentare. Larja e dhëmbëve çdo ditë nuk është vetëm çështje estetike, por lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e përgjithshëm.
Studiuesit sugjerojnë se bakteret që grumbullohen në pllakat dentare mund të futen në gjak dhe të shkaktojnë inflamacione, të cilat lidhen me sëmundje kardiovaskulare.
Sfida e katërt është ndjekja e një pasioni. Psikologët dhe mjekët kanë vënë re se njerëzit që merren me aktivitete që u sjellin kënaqësi janë më të qetë, më të lumtur dhe më të shëndetshëm.
Përveç përfitimit emocional, këto aktivitete ndihmojnë edhe në djegien e kalorive, duke qenë shumë më të dobishme sesa qëndrimi pasiv përpara ekranit.
Sfida e pestë lidhet me hidratimin dhe konsumimin e bulmetit. Uji është jetik për funksionimin normal të trupit, ndërsa mungesa e tij çon shpejt në dehidrim.
Qumështi dhe produktet e bulmetit, falë kalciumit, ndihmojnë në forcimin e kockave dhe dhëmbëve.
Studimet tregojnë se pirja e mjaftueshme e ujit ndihmon në uljen e presionit të gjakut, parandalimin e gurëve në veshka dhe reduktimin e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe kancer të zorrës së trashë.
Pesë zakone të vogla, por me ndikim të madh, dhe të gjitha mund të nisin që sot./Tar
Top Channel



























