ATSH/ 50 000 aplikime online janë shënuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 6 muajt e parë të vitit 2020.
Ministrja Anila Denaj, duke publikuar mesazhin e Pranvera Fagut, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Biznesit ka nënvizuar se 50 000 aplikime janë kryer online pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit nga janari i këtij viti, ku pjesën më të madhe e zënë regjistrimet. Marrja e shërbimeve elektronikisht, mbi të gjitha në kohë pandemie i ka shërbyer qytetarëve që jo vetëm të kursejnë kohë, por edhe të shmangin kontaktet fizike me administratën.
Pjesë e shërbimeve online është edhe dorëzimi i bilanceve vjetore, për të cilën QKB apelon subjektet që të respektojnë afatet dhe të shmangin ngarkimin e tyre në sistem në çastet e fundit.
“Në këto muaj duke shtuar dhe pjesën e pandemisë, në total kemi 50 000 aplikime online, 48 000 i përkasin pjesës së regjistrit. Mbi 2 000 janë në fushën e licencimit. Ajo që vlen për t’u përmendur është depozitimi i bilanceve në QKB, që siç dihet, paraqiten vetëm online. Duke u nisur nga ecuria e deritanishme që vjet ka hyrë forma e re e bilanceve pra 100% elektronikisht, ku bizneset kanë mundësi edhe të përpunojmë. Deri më sot, shifra e aplikimeve është 12 600, duke u nisur nga pritshmëria që kompanitë që kanë detyrimin janë në shifrën 20-22 000. I ftoj bizneset të mos i lënë ditën e fundit dhe orën e fundit”, – theksoi drejtoresha e QKB, Pranvera Fagu.
/j.p/r.e/