ATSH/ Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, e cilësoi Universitetin “Fan Noli” të Korçës, trashëgimi të vyer në sistemin arsimor.
Në veprimtarinë jubilare që u zhvillua sot në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, me rastin e 50 vjetorit të krijimit tij, Gjinushi tha se, “Akademia e Shkencave, në dallim prej tendencave për të copëzuar sistemin e për të krijuar oaze për dhënie titujsh e gradash, synon ngritjen e një rrjeti qendrash elitare, në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë”.
Sipas tij, titujt e gradat shkencore nuk janë për të vlerësuar e zbukuruar jetëshkrimet e pedagogëve a të punonjësve të një institucioni, por mjeti për ngritjen e nivelit të tyre shkencor; për rritjen e kontaktit të tyre me dijen brenda e jashtë vendit, në mënyrë që ato të transmetohen drejt e saktë tek studentët, tek specialistët e së ardhmes.
“Gjatë një gjysmë shekulli jete dhe veprimtarie, Universiteti “Fan Noli” ka lënë gjurmë të shkëlqyera formimi e riformimi të brezave të rinj në disa specialitete, prej atyre tradicionale deri tek ato me karakter ndërdisiplinor; prej diplomave të profesionit deri tek diplomat me standarde të larta kombëtare e njohje ndërkombëtare”, theksoi Gjinushi.
“Ne, vijoi ai, nuk mund ta ndajmë historinë e Universitetit Fan Noli nga tradita e veçantë e tepër e spikatur e historisë së zhvillimit të arsimit në Korçë e në rrethinat e saj”.
Sipas tij, në Korçë lindi himni i alfabetit, himni i shkronjave shqipe. E gjithë historia e zhvillimit të arsimit në vendin tonë është e pandarë nga ajo e arsimit në qarkun e Korçës, që është vendlindja dhe zanafilla e tij si arsim laik, vendi ku u mësua për herë të parë shqip e ku ushtruan aktivitetin e tyre misionar atdhetarët e ditur që punonin për alfabetizmin europian të shqipes, për latinizimin e shkrimit të saj.
“Kjo traditë, vuri në dukje Gjinushi, ishte shtrati i suksesit të Liceut Francez të Korçës, për t’u çuar me lart në periudhat e mëvonshme nga tërë rrjeti i shkollave këtu në Korçë e më tej nga universiteti tuaj. Krahas barrës për të çuar para këtë traditë, universiteti juaj ka pasur edhe peshën e emrit të ndritur që mban, emrit të Nolit shkrimtar, dijetar e përkthyes; kryepeshkop e kryeministër”.
Ndaj theksoi ai, nuk qe e rastit as që vetë Noli zgjodhi të përfaqësonte si deputet Korçën, ku meshoi për herë të parë shqip më 1908. Dhe ju keni ditur të nderoni si traditën, ashtu dhe emrin, e për këtë meritoni vlerësimin e falënderimin e të gjithëve.
“Ne e konsiderojmë bashkëpunimin midis dy institucioneve tona një model për t’u ndjekur në ndërveprimin akademiko-universitar. Këto mundësi bashkëpunimi i ka krijuar ligji i ri për arsimin e lartë dhe sidomos ligji i ri për Akademinë e Shkencave. Por, për të qenë edhe më bashkëveprues e më të suksesshëm, plotësimi i kuadrit juridik me një ligj të ri për shkencën, do të lehtësonte e institucionalizonte këtë proces”, theksoi Gjinushi.
Ai tha se, “hapësirat që na ka krijuar ligji i ri për Akademinë e Shkencave na dhanë e na japin mundësinë të krijojmë bashkësitë shkencore që një akademi i ka të domosdoshme. Komisionet e përhershme të ngritura mbi bazën e fushave të veprimtarisë; njësitë e kërkim-studimit; qendrat kërkimore; projektet e mëdha në albanologji; janë zgjidhje që kanë ofruar një hapje të gjerë ndaj komuniteteve shkencore”.
“Është kënaqësia jonë të pohojmë se në këto struktura nga universiteti tuaj ka përfaqësues të disa niveleve, që prej bashkëdrejtuesve të projekteve kombëtare në albanologji dhe anëtarëve të tyre, deri tek Akademia e të Rinjve. Dhe ky proces do të vijojë edhe në të ardhmen”, deklaroi gjatë fjalës së tij kreu i Akademisë së Shkencave Gjinushi.



























