Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sqaruar urdhrin e ndalimit të publikimit të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, ku pretendon se i referohet vetëm një gazetari.
Në njoftimin për shtyp, SPAK sqaron se gazetari i Ora News, Elton Qyno ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimeve të gjykatës. Prokuroria thekson se urdhrin “Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit të akteve dhe përmbajtjes së tyre’’ ia ka adresuar vetëm një gazetari dhe për arsyen e nxjerrjes së sekreteve.
“Nisur nga interpretimet e bëra në media, lidhur me urdhërin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 14.06.2022 ‘’Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit të akteve dhe përmbajtjes së tyre’’ sqarojmë se ;
Ky urdhër i është komunikuar në datën 16.06.2022 gazetarit E.Q, kundrejt nënshkrimit për marrjen dijeni, pasi gazetari ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt caktimin e masave të sigurimit personal ‘’arrest në burg’, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 dhe që në përputhje me nenin 295/a/4 të Kodit Penal përbëjnë akte sekrete të procedimit penal nr.75/2022.
Sqarojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, këtë urdhër ia ka adresuar vetëm një gazetari dhe për arsyen konkrete të sipërcituar.
SPAK urdhëroi ndalimin e publikimit të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt duke kërcënuar me burgosje gazetarët. Shkresa u bë publike sot nga gazetari i Ora News Elton Qyno, i cili u paralajmërua nga tre prokurorët e posaçëm të ‘Plumbit të Artë’ që vijon të ketë në arrati disa nga personazhet kyç të hetimit.
Top Channel


























