ATSH – I. Vata/ Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka marrë pjesë sot në konferencën “Sfidat dhe mundësitë në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e integritetit”
Në fjalën e saj, Gjonaj tha se vetë simbolika e këtij takimi na dëshmon më shumë se çdo gjë tjetër, se edhe në periudha të vështira pandemike si këto, të gjithë aktorët kyç në luftën kundër korrupsionit mund të bëhen bashkë për të kryer një shikim 360 gradë nga ajo çfarë kemi bërë dhe nga shumëçka mbetet ende për të bërë në përpjekjet tona të përditshme kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.
“E konsideroj këtë forum të përbashkët si një mundësi për të vlerësuar bazat e mira të hedhura deri tani, përsa i përket parandalimit, ndërgjegjësimit, por edhe ndëshkimit të korrupsionit por aq me rëndësi edhe ndërtimin dhe institucionalizimin e kulturës së integritetit në shoqërinë tonë. 5 vite më parë kur Reforma në Drejtësi u miratua, dhe kishte si qëllim çrrënjosjen e korrupsionit nga sistemi i drejtësisë, shumëkush u shpreh skeptik që drejtësia shqiptare do të mund të çlirohej nga mëkatet e vetvetes, por jo vetëm. Shumë e vunë në dyshim mundësinë se ata aktorë të sistemit të drejtësisë që kanë njollosur sistemin e drejtësisë për shkak të korrupsionit, do të mbanin një ditë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre. Etapa e parë e zbatimit të reformës në drejtësi, ishte një etapë që na testoi të gjithëve, jo vetëm kapacitetet dhe mundësitë tona, por mbi të gjitha vullnetin për t’a çuar deri në fund betejën ndaj pandëshkueshmërisë në sistemin e drejtësisë. Sot, pothuaj pas 5 vitesh, dëshmohet qartë se vullneti ka qenë i palëkundur, se nuk jemi stepur në asnjë moment për ta çuar përpara me hapa solidë procesin më transformues në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, kjo nga ne si maxhorancë, si qeveri, por edhe nga vetë partnerët ndërkombëtarë SHBA dhe BE, të cilët në asnjë moment nuk kanë reshtur së dhëni mbështetje zbatimit të reformës në drejtësi”, tha ajo.
Po ashtu, Gjonaj shtoi se “u tregua mbështetja që i dhamë ne zbatimit të reformës në drejtësi, për të mbështetur institucionet e reja të saj, dhe veçanërisht institucionet dhe proceset që lidhen me luftën ndaj korrupsionit jo vetëm në sistem por edhe më gjerë”.
Ajo thekson se nga 50% e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vetuar, më shumë se 60% prej tyre janë larguar nga sistemi.
“Nëpërmjet Reformës në Drejtësi, nga njëra anë, po kryhet pastrimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë nga elementët e korruptuar, jo profesionalë apo me lidhje të dyshimta me krimin nëpërmjet procesit të vetingut, ku nga rreth 50 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vetuar, më shumë se 60% prej tyre janë larguar nga sistemi. Dhe nga ana tjetër lufta ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit të strukturave të reja të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat tashmë kanë filluar të flasin në emër të drejtësisë penale të re me raste konkrete të procedimeve penale të nisura dhe përfunduara, dhe pasuri të sekuestruara si për raste brenda sistemit por edhe jashtë saj. Unë jam besimplotë që Prokuroria e Posaçme së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila sapo ka emëruar 28 hetuesit e parë, do të mund të bëjnë raste suksesi që lidhen me luftën kundër pandëshkueshmërisë për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbështetja e Qeverisë Shqiptare dhe e mazhorancës ka qenë e pakushtëzuar drejt institucioneve të reja të drejtësisë dhe në veçanti për strukturat e posaçme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo e konkretizuar edhe në ndryshimet e fundit ligjore që u miratuan, duke i dhënë mundësi fokusimit të strukturave të posaçme në çështjet e korrupsionit të konsiderueshëm, por edhe në mbështetjen për një trajtim më të mirë financiar për shkak të vështirësisë që kanë duke u trajtuar me 80% më shumë se paga e një prokurori të juridiksionit të përgjithshëm sot. Prokurorët e SPAK-ut sot janë më pozicionet më të paguara në krahasim me të gjithë funksionarët e lartë brenda dhe jashtë sistemit. Ashtu siç u bë e mundur trajtimi financiar më Iimirë për drejtuesen e BKH-së, për hetuesit edhe stafet e tyre administrative”, tha ajo.
Në vijim, Gjonaj shtoi se “tashmë përgjegjësia është e këtyre institucioneve të cilat do të duhet të bëjnë rezultate suksesi reale. Dhe sot jam e nderuar që në këtë panel jam së bashku me Drejtuesin e Prokurorisë Kraja, Hajnaj, të cilët kanë treguar vullnetin për të patur rezultate në një kohë shumë të shkurtër”.
“Po gjithashtu dua të shpreh falënderimet e mia Kryeprokurorit të Rumanisë Bologa, i cili na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij posaçërisht, për të ndarë me ne eksperiencën rumune sfidat dhe arritjet, si dhe rastet e vështira që janë dashur të përballen fillimisht në luftën kundër korrupsionit. Rumania ishte ndër pionerët e një reforme të jashtëzakonshme me në themel luftën kundër korrupsionit, një reformë që i kaloi me sukses të gjithë filtrat e rreptë të organeve të BE-së por edhe ndryshoi perceptimin e qytetarëve rumunë, dhe risolli besimin në një sistem drejtësie. Kjo tryezë diskutimi përkon edhe me fillimin e një faze të re pas 5 vjetësh nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese, të hedhur edhe në strategjinë e re për konsolidimin më tej të rezultateve të zbatimit të reformës në drejtësi, të efektshmërisë së sistemit të drejtësisë, të zbatimit me përgjegjëshmëri të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ashtu si dhe të transparencës dhe llogaridhëniës të institucioneve të drejtësisë, të gjitha këto parakushte për të mos humbur asnjëherë vëmendjen nga lufta e përditshme kundër fenomeneve korruptive në sistemin e drejtësisë e më gjerë. Krahas përpjekjeve që secili nga ne bën në luftën kundër korrupsionit, nuk mund të anashkalojmë faktin që sot lufta kundër korrupsionit përballet me sfida të reja. Korrupsioni është shpesh herë ngushtësisht i ndërlidhur me krimin e organizuar transnacional dhe veçanërisht prurjet e paligjshme financiare. Këto fenomene mpleksen shpeshherë në mënyrë tejet komplekse, e për pasojë, dhe përgjigja jonë ndaj tyre duhet të jetë e mirëtargetua”, tha ajo.
Gjithashtu, Gjonaj shtoi se “në zbatim të rekomandimeve të MONEYVAL e të Planit te Veprimit ICRG/FATF, Qeveria vijon ndjekjen e saj si një ndër prioritetet kryesore të saj, duke përfshirë këtu edhe ndërmarrjen e një sërë iniciativash legjislative dhe masash zbatuese në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave në Shqipëri. Ashtu siç jemi duke ndjekur të gjitha angahzimet e marra përsipër në Samitin e Berlinit përsa i përket luftës ndaj korrupsionit. Por lufta ndaj korrupsionit, një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse i përket një qasje më të gjerë si institucionale ashtu edhe ligjore, nëpërmjet një qasje strategjike solide gjithëpërfshirëse”.
“Për 4 vite, në përgjegjësinë e shtuar si koodinator kombëtar antikorrupsion, kemi zbatuar një kuadër strategjik të plotë në tri qasje kryesore: parandaluese, ndëshkuese dhe ndërgjegjësuese. Kemi ngritur nivelin e strukturave koordinuese nga nivel Teknik në nivel politik, Komiteti Koordinativ për Antikorrupsionin, nën drejtimin e Ministrit të Drejtësisë i përbërë nga 10 zëvendësministra, për garantimin e zbatueshmërisë së kuadrit strategjik. Përpos kuadrit strategjik, ngritëm një strukturë tejet operative si ai i taskforcës ndërinstitucionale Antikorrupsion, si kërkesë e intensifikimit të luftës kundër korrupsionit dhe ideuar si një mekanizëm përgjegjës për inspektimet ndërinstitucionale në institucionet që ofrojnë shërbime për qytetarët me rrezik të lartë të abuzimit, vendimeve arbitrare dhe korrupsionit. Për të garantuar qëndrueshmërinë e veprimtarisë inspektuese në rastet e denoncuara të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën, në 2020, ngritëm për herë të parë një mekanizëm të ri, Rrjetin e Koordinatorëve Antikorrupsion në 17 Agjenci që ofrojnë shërbime, të cilat paraqesin një potencial të lartë korrupsioni për shkak të pikëtakimit mes interesave publike dhe atyre private. Ky rrjet i posaçëm i llojit të vet, për shkak se është mekanizëm i jashtëm referimi korrupsioni i cili varet nga Ministri i Drejtësisë, po ndjek tashmë rast pas rasti, çdo sinjalizim për korrupsion. Rrjeti i koordinatorëve është mbështetur në ngritjen e kapaciteteve hetuese dhe për standardet ndërkombëtare edhe nga ekspertët e asistencës teknike të BE-së, ekspertët e Agjencisë Italiane kundër Korrupsionit, ashtu si do të vijojnë të mbështeten nga Transparency internacional”, tha ajo
Gjonaj theksoi se për parandalimin e korrupsionit, një sërë masash kemi ndërmarrë përmes forcimit të kuadrit strategjik, transparencës, eficencës, dhe llogaridhënies së institucioneve publike qendrore.
“Në 2020 kemi filluar për herë të parë zbatimin e planit të integritetit të Ministrisë së Drejtësisë, mbi bazën e vlerësimit të riskut të integritetit, si një projekt pilot I cili tashmë ka filluar të replikohet në të gjitha Ministritë e tjera të linjës dhe institucionet e varësisë. Falë asistencës teknike për antikorrupsionin nga BE gjithashtu jemi në fazën e hartimit të Planit të Integritetit për institucionin më me risk të varësisë së MD, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Përmes analizës rigoroze do të evidentohen të gjithë proceset që kryen DPB, dhe të evidentohen ato me risk të lartë, të mesëm dhe të ulët ndaj korrupsionit, me qëllim monitorimin efektiv të zbatimit të drejtë të procedurave. Këtyre përpjekjeve për të zvogëluar maksimalisht dhe eliminuar hapësirat korruptive në organet e administratës publike, i shtohet shumëfishimi i shërbimeve online i cili do të kthehet në një revolucion digjital ku në 4-vjeçarin e ardhshëm të gjitha shërbimet do të kthehen në shërbime online. Digjitalizimi është një instrument i fuqishëm kundër korrupsionit dhe ka sjellë rezultate të qenësishme për eliminimin e korrupsionit të sporteleve një problem shqetësues për të gjithë shqiptarët. Përmes portalit e-albania dhe platformave të tjera të mundësuar nga Qeveria Shqiptare ofrohen mbi 1200 shërbime online, përfshirë dhe sektorët më të ndjeshëm ndaj korrupsionit, si ai i pronësisë, tatimeve, prokurimeve etj. Falë përshpejtimit të hapave digjitalizues, sot e-albania ka 1.2 milion përdorues të portalit e-Albania që aplikojnë për marrjen e këtyre shërbimeve, të cilëve u janë ofruar mbi 4.3 milion përdorime të shërbimeve elektronike të portalit nga qytetarë, biznese, punonjës të administratës publike. Përtej ndëshkimit pa kompromis të korrupsionit, marrjen e çdo mase të nevojshme parandaluese, lufta kundër korrupsionit është një luftë e vazhdueshme, shumë dimensionale dhe një ndër armët efikase është edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi i brezave më të rinj”, tha ajo.
Gjonaj shton se “një përpjekje e tillë ka marrë udhë tashmë në bashkëpunim me MASR dhe Ambasadën Italiane, për të pilotuar për herë të parë në gjimnazet tona një modul antikorrupsion në bazë të modelit italian në kurrikulën e arsimit parauniversitar, të bazuar në metoda inovative të përshtatura për nxënësit dhe gjej rastin të falenderoj Ambasadorin Italian për mbështetjen në vijim”.
“Jemi munduar maksimalisht dhe do të vijojmë ta zgjerojmë punën tonë ndërgjegjësuese përmes bashkëpunimeve me partnerë solidë në luftën kundër korrupsionit. Për herë të parë në 2020 është miratuar Strategjia e Komunikimi dhe Vizibilitetit në kuadër të luftës kundër korrupsionit, ku falë një bashkëpunimi të frytshëm me Delegacionin e BE-së, Ambasadën Holandeze, dhe Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë, shoqërinë civile dhe grupet e interesit, i kemi dhënë jetë një iniciative që ka kulmuar me dy fushate të përbashkëta kundër korrupsionit, përkatësisht edukimit të qytetarëve nëpërmjet Javës së Integritetit, ku mbi 70 partnerë nga administrata publike, shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit kanë marë pjesë. Për këtë arsye dua të falenderoj Ambasadorin Soreca, për të gjithë mbështetjen që Bashkimi Evropian me strukturat e saj I ka dhënë Shqipërisë, mbështetje si teknike ashtu edhe financiare për të sjellë rezultate të dukshme pozitive. Për herë të parë Shqipëria, në monitorimin e kryer nga GRECO arriti të ketë një rezultat shumë të mirë ku nga 10 rekomandime zbatoi 9 prej tyre plotësisht të lidhura me masat në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria tashmë është nën një monitorim të ri nga GRECO për të cilën do duhet të raportojmë zbatimin e tyre në 2022, dhe për këtë arsye falenderoj znj Juncker, e cila ka shprehur të gjithë mbështetjen në politikat tona kundër korrupsionit” tha Gjonaj.
Në vijim, Gjonaj tha se ashtu siç këtë vit Shqipëria pati rezultate të mira në renditjen e bërë nga Transparency International me dy pikë më shumë, duke shënuar edhe rezultate pozitive edhe në një sërë raportesh të tjera ndërkombëtare.
“Shqipëria si anëtare e konventës kundër korrupsionit të UN, me dokumentin e politikave të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme, ka marrë në ndjekje edhe ato rekomandime, të cilat jo vetëm janë në nivel kombëtar por edhe në bashkëpunimin midis shteteve në luftën kundër korrupsionit. Ashtu siç kemi punuar ngushtësisht në bashkëpunimin rajonal nëpërmjet RAI dhe për këtë dua të falenderoj znj. Gotskova, e cila merr pjesë në këtë takim, ndonëse online, për të ndarë rezultatet dhe sfidat që kemi pasur bashkarisht. Partnerët ndërkombëtarë, shoqëria civile, institucionet e pavarura të drejtësisë, institucionet kushtetuese, tashmë jemi të gjithë me një qëllim të përbashkët në luftën kundër korrupsionit prandaj duhet të përdorim sinergjitë që të kemi mundësinë e të pasurit të rezultateve sinjifikative në luftën kundër korrupsionit. Tashmë edhe Departamenti i Shtetit amerikan nëpërmjet programeve të tyre do të ofrojnë mbështetjen e tyre jo vetëm financiare por edhe teknike për të ndërtuar dhe promovuar më mirë kulturën e integritetit dhe ngritjes së kapaciteteve të ekipeve në luftën kundër korrupsionit. Objektivi i qeverisë për mandatin e tretë është vijimi i betejës së luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimit të një qeverisje sa më transparente dhe llogaridhënëse, nëpërmjet rritjes së aksesit të publikut, kontrollit të vendimmarrjes, së përdorimit të fondeve financiare, digjitalizimit tërësor të shërbimeve, forcimit dhe konsolidimit të rezultateve të hetimit administrative të korrupsionit, etj Jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat që kemi përpara, të cilat nuk janë të vogla, lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet në kuadër të reformës dhe të përpjekjet tona për të çrrënjosur korrupsionin në administratën publike hasen dhe mund të hasen me sfida të reja. Por sic duket edhe në këtë takim jemi shumë aktorë që kemi të njëjtin qëllim, dhe na mbetet vetëm të rrisin bashkëpunimin për të fituar betejën me korrupsionit dhe të ndërtojmë një shoqëri me integritet. Besoj që ky takim do të jetë një shkëmbim real përvojash në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit, si një sfidë tashme të gjithë shoqërive”, përfundoi Gjonaj. /j.p/

























