ATSH – I. Vata/ Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka uruar albanologun e mirënjohur, historianin dhe studiuesin e letërsisë arbëreshe dhe shqipe Matteo Mandalà, për 63-vjetorin e lindjes.

Matteo Mandalà njihet për kontributin e tij si filolog e botues i shkrimeve dhe veprave shqip në disa periudha letrare.

Intelektual me interesa të gjera dhe dijetar me ndihmesa origjinale në disa fusha të dijes kombëtare; përfaqësues i shquar i mendimit shkencor shqiptar në gjithë botën e sotme akademike-universitare, Matteo Mandalà ka mbajtur lidhje të forta me Shqipërinë dhe Akademinë e Shkencave.

Albanologu arbëresh akad. Matteo Mandalà është bërë prej vitesh anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe këtë vit u zgjodh anëtar i jashtëm i saj.

Prof. dr. Matteo Mandalà, prej afro 28 vjetësh është përgjegjësi i seksionit të albanologjisë në Universitetin e Palermos (Università degli Studi di Palermo).

Ai është një autor origjinal dhe shkencor shqiptar në gjithë botën e sotme akademike-universitare; profesor, ligjërues i lëndëve të albanologjisë në Universitetin e Palermos dhe përgjegjës i njësisë së saj; gjithashtu dhe në Universitetet italiane të Kalabrisë, Barit, Leçes, Pizës, Mesinës; si dhe në Universitetin e Tiranës, të Tetovës dhe të shumicës së universiteteve shqiptare.

Matteo Mandalà është anëtar i Këshillit të Profesorëve të Doktoratës Ndërkombëtare për kërkime shkencore në filologji dhe gjuhësi shqiptare. Është nderuar me titullin doctor honoris causa në Universitetin e Gjirokastrës, Vlorës dhe Tiranës. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, fitues i çmimeve më të rëndësishme shkencore të konkurseve kombëtare; organizator e pjesëmarrës me rol parësor në konferencat shkencore albanologjike në Europë; autor i mbi 100 publikimeve shkencore në arbërisht, shqip, italisht, frëngjisht e anglisht, me rëndësi themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare; bashkëthemelues i filologjisë moderne shqiptare, “Nder i Kombit”.

Prof. dr. Matteo Mandalà është historian i letërsisë, studiues i disa periudhave të saj, duke përfshirë letërsinë më të hershme, letërsinë parakombëtare, letërsinë arbëreshe dhe atë të degës lindore të romantizmit shqiptar (E. Çabej), letërsinë e periudhës midis dy luftërave dhe atë të gjysmës së dytë të shek. XX.

Ai është themelues i filologjisë moderne shqiptare, që sot në pikëpamjen metodologjike funksionon si një shkollë për të gjithë studiuesit e teksteve shqip.

Ai ka përgatitur dhe botuar me shqyrtim kritik dhe me principe shkencore europiane veprën e Lekë Matrangës, veprën e Nicolò Chetta-s, veprën e Nicolò Figlia-s (Il Codice Chieutino), veprën e Giuseppe Schirò-it, veprën e Gavril Darës, veprën e De Radës.

Janë dekada të tëra punë e lodhshme, e vështirë, përgatitja e botimeve filologjike të veprës së plotë edhe të autorëve më pak të njohur gjatë katër shekujve letërsi arbëreshe në Italinë ishullore palermitane, botuar në antologjinë më të madhe të kësaj letërsie, realizuar në tre vëllime, me titullin Profilo storico-antologico della letteratura degli Albanesi di Sicilia (2005-2007-2012). Dhe prapa çdo studimi qëndron një çështje jo e propozuar, e parashtruar, por e zgjidhur e historisë së letërsisë, historisë së shkrimeve, historisë së gjuhës.

Prof. dr. Matteo Mandalà si studiues ka shtruar dhe ka zgjidhur probleme, sidomos çështje të autorësisë (Matranga, Figlia, Dara, Budi), të tekstologjisë kritike dhe të hermeneutikës.

Me emrin e tij lidhet fusha e filologjisë së re shqiptare, e cila këto vitet e fundit i ka dhënë një drejtim të ri, të veçantë shkencës albanologjike.  Këto janë disa nga kontribute për të cilat e vlerëson dhe e ka vlerësuar ndër vite Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Prof. dr. Matteo Mandalà është një prej zërave më të respektuar në të gjitha konferencat dhe ngjarjet shkencore që zhvillohen kudo në botë; ai është bashkëpunëtor i shkollave më të rëndësishme të albanologjisë (italiane, gjermane, austriake, ruse, greke etj.). Ka qenë profesor i ftuar në shumicën e universiteteve shqiptare dhe në vende të tjera.