ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit do të përballet mbrëmjen e së martës me Letoninë në Riga në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Në prag të kësaj përballje të rëndësishme, UEFA ka zbuluar emrat e arbitrave që do të drejtojnë takimin.

Për ndeshjen është caktuar një trupë gjykuese nga Turqia. Arbitër kryesor do të jetë Umut Meler, një emër i njohur dhe shpesh i diskutuar në arenën ndërkombëtare, sidomos pas një incidenti të bujshëm në dhjetor të vitit 2023, ku u sulmua fizikisht nga presidenti i klubit turk Ankaragucu, pas përfundimit të ndeshjes ndaj Rizespor.

Në krah të tij do të jenë ndihmësit Kerem Ersoy dhe Ibrahim Uyarcan, ndërsa arbitër i katërt është përzgjedhur Oguzhan Cakir.

Sistemi VAR do të kontrollohet nga dy arbitra gjermanë: Harm Osmers si VAR kryesor dhe Daniel Schlager si asistent.

Përballja në Riga pritet të jetë vendimtare për shpresat e Shqipërisë drejt kualifikimit për në Kupën e Botës.

/a.f/