Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur se Breshka e gjelbër (Chelonia mydas) konsiderohet e rrallë në bregdetin shqiptar, duke e krahasuar me prezencën e Breshkës kokëmadhe (Caretta caretta).
“Chelonia mydas arrin një gjatësi prej rreth 40 cm dhe parapëlqen zona të pasura me alga, bimësi detari si edhe livadhet nënujore të Posidonia oceanica. Prezenca e tyre është mjaft e rëndësishme pasi ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik”, thekson AKZM në një postim në rrjetet sociale.
Në përgjithësi, janë 7 lloje të breshkave të detit të pranishme në zonën tropikale dhe të butë të deteve të botës, por të gjitha ato janë në rrezik të zhdukjes.
Varietetet e ndryshme të kësaj kafshe janë të përhapura në Mesdhe, megjithëse më e përhapura nga të gjitha është caretta caretta, e cila bashkëjeton në detet tona krahas breshkës së gjelbër (Chelonia mydas) dhe breshkës së rrallë të kurrizit (Dermochelys coriacea).
Popullata e breshkave të detit të gjelbër, dikur të rrezikuara seriozisht nga zhdukja është rritur me 28% që nga vitet 1970, pavarësisht “kërcënimeve të vazhdueshme” që përballen në habitatet e tyre natyrore.
Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), kjo rritje e ndjeshme ka bërë që specia të riklasifikohet nga “e rrezikuar” në “më pak shqetësuese” – një sukses i madh për përpjekjet globale të ruajtjes detare.
/k.s/a.f/



























