Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha se brenda 3 muajve të parë të 2021 do të vijë vaksina antiCovid në Shqipëri.

“Unë e them këtë me përgjegjësi që, në mënyrën sesi janë zhvilluar situatat, në mënyrën sesi qeveria shqiptare e ka ndjekur hap pas hapi dinamikën e vaksinës dhe ndërhyrjet në pikat e nxehta ku duhet lëvizur shpejt, situata do ta zhvillojmë edhe gjatë emisionit që Shqipëria do ta ketë të gjithë mundësinë që ashtu siç ka thënë edhe kryeministri, vaksina do të jetë në Shqipëri patjetër në muajt e parë. Ne kemi punuar në disa drejtime. Drejtimi i parë ka qenë ai i Covax. Kjo iniciativë është marrë që në fillim të pandemisë dhe është një nga ato shtyllat me të cilat organizata botërore e Shëndetësisë, një nga tre shtyllat, ku komiteti Europian, edhe Franca nxorën si përballje me pandeminë. Covax e para. Varet se cila vaksinë do të jetë e para sepse ka disa vaksina. Covax është një iniciativë e cila ka në portofolin e saj shumë vaksina. Kryesorja është që këto vaksina që do të vijnë në Shqipëria, ashtu siç në radhë të parë do të jenë vaksina të sigurta, vaksina të cilat do ta kenë marrë atë certifikatën nga Agjencitë e Barnave Prestigjioze sic është FDA etj’’, u shpreh Rakacolli.

“Jemi në tratativa me Bashkimin Europian për të marrë edhe atje. Njëkohësisht edhe me vende të veçanta të Bashkimit Europian, siç është për shembull Polonia na është ofruar që në kuadër të kësaj të marri edhe doza për Shqipërinë dhe njëkohësisht edhe me tratativa direkte me kompaninë, siç ishte tratativa që kryeministri Rama bëri me Pfeizer. Pra, kemi disa opsione që kemi mbi tavolinë dhe kur e japim atë që themi se brenda tre muajve të parë shpresojmë që të jetë muaji i parë ose i dytë i vitit 2021, e themi të mbështetur në arritje dhe në premtime që ne kemi deri tani”, tha Rakacolli.