ATSH/ Një sistem i ri detyrimesh për menaxhimin e mbetjeve të ambalazheve dhe depozitë-rimbursimi për shishet plastike e kanaçet e pijeve parashikohet të zbatohet në Shqipëri, sipas një projektvendimi të Ministrisë së Mjedisit, i cili është hedhur për konsultim publik.
Nisma parashikon gjithashtu ndalimin e qeseve plastike me trashësi nën 70 mikronë dhe shitjen me pagesë të qeseve që do të lejohen në treg.
Në relacionin që shoqëron projektvendimin, Ministria e Mjedisit thekson se “projektvendimi krijon detyrime financiare të drejtpërdrejta për prodhuesit, importuesit, paketuesit dhe distributorët e ambalazheve, si dhe për subjektet e shitjes me pakicë”.
Sipas proektvendimit, këto subjekte do të financojnë ose do të marrin pjesë në organizatat e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit dhe në sistemin e depozitë-rimbursimit, pa mbështetje financiare nga buxheti publik.
Detyrimet përfshijnë pagesën e tarifave të ambalazhit për funksionimin e organizatave të licencuara mjedisore, blerjen e koshave të grumbullimit të diferencuar, transportin e mbetjeve dhe investimet në sistemet e deklarimit dhe gjurmueshmërisë.
Bizneset do të mbulojnë edhe kostot e makinerive automatike për kthimin e ambalazheve, tarifat e menaxhimit për dyqanet që marrin pjesë në sistem dhe rimbursimin e bashkive për shpenzimet përkatëse të menaxhimit të mbetjeve.
Ndërsa kontributet financiare do të diferencohen sipas karakteristikave të ambalazheve, përfshirë shkallën e riciklueshmërisë dhe përmbajtjen e materialit të ricikluar.
Një tjetër ndryshim prek drejtpërdrejt konsumatorët. Për shishet plastike njëpërdorimëshe dhe ambalazhet metalike të pijeve deri në tre litra parashikohet vendosja e një depozite monetare gjatë blerjes, e cila do të kthehet plotësisht pasi konsumatori të dorëzojë ambalazhin bosh në një pikë të autorizuar.
“Për ambalazhet e pijeve njëpërdorimshe ngrihet Sistemi i Depozitë-Rimbursimit, ku konsumatori paguan një tarifë depozite në blerje e cila i rimbursohet atij plotësisht pas kthimit të ambalazhit bosh në pikat e autorizuara të shitjes”, thuhet në nenin 7 të këtij projektvendimi.
Sistemi synon që deri më 1 janar 2031 të grumbullohet veçmas të paktën 90% e ambalazheve të përfshira në këtë skemë. Konsumatorët do të kenë të drejtë ta marrin depozitën pa qenë të detyruar të kryejnë një blerje tjetër.
Ndryshime parashikohen edhe për qeset plastike, ku projektvendimi ndalon prodhimin, importimin, shpërndarjen dhe përdorimin në pikat e shitjes të qeseve mbajtëse plastike me trashësi nën 70 mikronë, duke ruajtur përjashtimet për qeset shumë të lehta që përdoren për qëllime higjienike ose për ushqime të shitura pa ambalazh.
Qeset me trashësi 70 mikronë ose më shumë do të lejohen vetëm nëse përmbushin kërkesat teknike dhe të ripërdorimit, por nuk do të mund të jepen falas.
“Qeset mbajtëse plastike të përcaktuara në pikën 3 nuk u ofrohen konsumatorëve pa pagesë. Çmimi i tyre paraqitet veçmas dhe në mënyrë të dukshme në pikën e shitjes dhe, kur është teknikisht e mundur, evidentohet veçmas në dokumentin fiskal”, thuhet në nenin 4.
Bizneset duhet të ndërpresin tregtimin dhe të tërheqin stokun e qeseve të ndaluara deri më 30 qershor 2028.
Sipas relacionit, zbatimi i kërkesave të reja mund të kërkojë investime fillestare nga operatorët ekonomikë për përshtatjen e prodhimit, logjistikës dhe sistemeve të raportimit.
Ndërkohë, Ministria e Mjedisit deklaron se reforma nuk parashikon efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.
Gjithashtu projektvendimi parashikon zbatimin e përgjithshëm të rregullave të reja nga 1 korriku 2028, me afate të mëvonshme për disa detyrime specifike. Dokumenti është ende në fazën e projektit dhe vlerat përfundimtare të tarifave të ambalazheve dhe depozitave për konsumatorët mbeten për t’u përcaktuar.
/k.s/a.f/



























