Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka pritur sot në një takim homologen nga Maqedonia e Veriut, Mila Carovska më të cilën ndau angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kushi thotë se në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit mes dy vendeve në nivel bilateral, rajonal, si dhe në kuadër të procesit të integrimit europian.
“Sot pata kënaqësinë të takoja ministren e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë së Veriut, Mila Carovska, me të cilën ndamë angazhimin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin dhe shkëmbimet mes dy vendeve tona në nivel bilateral, rajonal, si dhe në kuadër të procesit të integrimit europian”, tha Kushi.
Sipas ministres, gjatë takimit u dakordësuan mbi zbatimin e plotë të marrëveshjes në fushën e arsimit dhe shkencës mes dy qeverive.
“Gjatë takimit, dakordësuam gjithashtu mbi zbatimin e plotë të marrëveshjes mes dy qeverive në fushën e arsimit dhe shkencës, sikurse ndamë të njëjtat pikëpamje për të thelluar akoma më tej programin tonë të bashkëpunimit në këto dy fusha”, u shpreh Kushi.



























