Përpjekjet e tre dekadave në uljen e vdekshmërisë foshnjore u përmbysën vitet fundit, kur numri fataliteteve nën 1 vjeç arriti në vitin 2019, nivelin më të lartë që nga 2012-a, teksa fenomeni mbeti i lartë edhe për vitin 2020. Statistikat zyrtare tregojnë se, shkaqet lidhen me mungesën e mjekëve dhe pajisjeve në qarqet në të gjitha maternitetet e vendit, sidomos në periferi. Vdekshmëria u rrit nga ndërlikimet gjatë lindjes dhe sëmundjet respiratore, të lidhura këto me pajisjet dhe kujdesin mjekësor neonatal. Burimet nga maternitetet e Tiranës, Kukësit dhe Dibrës pohojnë se stafet mjekësorë janë pakësuar me 30-40% në raport me 2010, kurse pajisjet mjekësore janë të vjetruara. OKB e konsideron vdekshmërisë foshnjore si matësin më të saktë të zhvillimit njerëzor global dhe treguesin më të hershëm që sinjalizon ecurinë e varfërisë, shëndetit të popullatës dhe ekonomisë së një vendi

 

Blerina Hoxha

Kur numri i vdekjeve të foshnjave pa mbushur një vjeç nis e rritet, drama nuk u takon vetëm familjeve që i humbin ato, por vjen si një ogur i zi për të gjithë vendin se, mirëqenia dhe prosperiteti nuk janë në rrugë të mbarë. Jo pa qëllim, Kombet e Bashkuara e shohin vdekshmërisë foshnjore si matësin më të saktë të zhvillimit njerëzor global dhe treguesin më të hershëm që sinjalizon ecurinë e varfërisë, shëndetit të popullatës dhe ekonomisë së një vendi. Për çdo 1000 lindje humbën betejën me jetën 10 foshnja në vitin 2020, ky koeficient ishte 10.3 në vitin 2019 dhe 7.1 në vitin 2015.

Tre vitet e fundit, Shqipëria përmbysi përpjekjet e tre dekadave, kur vdekshmëria e foshnjave nën një vjeç rinisi rritjen e mprehtë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në shkallë vendi, në vitin 2020 humbën jetën 281 foshnja deri në 1 vjeç, ndërsa në vitin paraardhës 293 foshnja, niveli më i lartë që nga viti 2012. Rritja e fenomenit për të dytin vit ndodhi në një kohë që lindjet ranë me shpejtësi. Në vitin 2019, Shqipëria e kishte vdekshmërinë foshnjore gati sa dyfishi i rajonit, dhe më e larta në Europë, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Treguesi ndonëse me rënie të lehtë mbeti i lartë edhe për vitin 2020.

 

Burimi: Banka Botërore

 

Publikimet e INSTAT tregojnë se, gjatë vitit të kaluar fatalitetet në moshat 0-1 vjeç u rritën ndjeshëm në qarqet e Gjirokastrës, Korçës, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës, në raport me vitin paraardhës, nga 9 – 100 % sipas qarqeve. Profesor Eduart Kakarriqi, një nga ekspertët më të njohur të shëndetit publik në vend, tha se, Shqipëria, që nga fillimi i viteve 1990, e kishte përmirësuar dukshëm e vdekshmërinë në 1 vjeç.

Rikthimi i fenomenit në qarqe, sipas tij, tregon se, sistemi shëndetësor sidomos në kujdesin neonatal po përballet me dobësi në asistencën që jepet për foshnjën në 28 ditët e para të jetës. Edhe të dhënat zyrtare, në fakt, tregojnë pikërisht këtë dobësi, pasi numri më i lartë i fataliteteve u faturohet ndërlikimeve në barrë, në lindje, gjatë dhe pas lindjes. Më 2019, nga kjo anomali humbën betejën me jetën 42 bebe më shumë se në vitin 2018. Fatalitetet nga sëmundjet respiratore shënuan rritje me 400% në raport me 2018.

Ekspertët e shëndetit publik pohojnë si shkaktarë mungesën e pajisjeve mjekësore dhe mjekëve, veçanërisht në qarqe. Ministria e Shëndetësisë, e cila grumbullon të dhënat në kohë reale për lindjet dhe fatalitetet e foshnjave, nuk komentoi mbi fenomenin, duke ia kaluar këtë përgjegjësi Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).

Duke iu përgjigjur një kërkese për të drejtë informimi ISHP sqaroi se, “vdekshmëria foshnjore është ende një temë në studim. Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me INSTAT janë duke grumbulluar më shumë detaje mbi vdekshmërinë foshnjore. Gjithashtu jemi duke studiuar disa hipoteza lidhur më prirjen e vërejtur, përfshirë problemet në klasifikimin e ‘Feto morto’, prandaj edhe nuk kemi një konkluzion përfundimtar për këtë çështje”.

Kjo nënkupton se se, në vitet e kaluara, fatalitetet në orët e para të lindjes nuk janë raportuar në regjistrat e gjendjes civile. Standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkojnë që të konsiderohen si “vdekje”, lindjet premature pas javës së 28 të shtatzënisë deri në moshën një vjeç. Një mjek në ISHP, në kushtet e anonimatit shpjegoi se, në të shkuarën ka pasur, por nuk janë raportuar foshnjat e lindura të vdekura, ose që vdesin në javën e parë, por përfitimi i bonusit të bebeve ka nxitur regjistrimin e tyre në gjendjen civile.

Pohimi nxjerr në pas se raportimi i një prej treguesve më të rëndësishëm globalë mund të ketë qenë i pasaktë. Shqipëria e ka pasur fatalitetin e bebeve më të lartë se raportimet zyrtare dhe e ka fshehur atë. Duke marrë në konsideratë këtë nënraportim, Organizata Botërore e Shëndetësisë historikisht e ka përllogaritur vdekshmërinë foshnjore të Shqipërisë, të paktën 40% më të lartë se raportimet kombëtare.