/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, përmes së cilës synohet zbatimi i projekteve të përbashkëta që kanë si qëllim përkujtimin e ngjarjeve më të rëndësishme historike të popullit shqiptar.
Nënshkrimi i marrëveshjes u finalizua paraditen e sotme në mjediset e DPA ku drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Ardit Bido priti drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit, Alda Bardhyli.
Bido në fjalën e tij tha se “qëllimi i marrëveshjes është të promovojë dhe të sjellë përpara publikut në mënyrë të vazhdueshme shkrimtarët shqiptarë të pasqyruar përmes veprës së tyre”.
“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka në fondet e veta arkivore dorëshkrime të një pjese të mirë të këtyre shkrimtarëve sidomos të atyre të para viteve 1945 dhe këto dorëshkrime rrëfejnë më shumë se dhe vetë vepra ndonjëherë. Në to është redaktimi që i bëjnë veprës është mënyra se si ata e ndryshojnë veprën e tyre në vijmësi dhe kjo jo vetëm për efektin studimor por edhe për edhe për efektin e të kuptuarit të mendësisë së punës së shkrimtarit pasi është diçka e rëndësishme. Së dyti kjo marrëveshje do të tenojë në vijmësi një propozim të zonjës Bardhyli që të mundet të pasurohet në mënyrë të vazhdueshme arkivi me dorëshkrimet e autorëve bashkëkohorë shqiptarë me të cilët ka kontakt organik natyror QKLL-ja dhe pse jo kjo të kthehet në të ardhmen në një aspekt të veçantë të punës arkivore, ku këto dorëshkrime të jenë të qasshme nga të gjithë”, tha Bido.
Alda Bardhyli shpjegoi se kjo marrëveshje synon që t’u japë jetë aktiviteteve të përbashkëta të cilat kërkojnë të kujtojnë vepra të rëndësishme por edhe autorë që kanë bërë historinë e mendimit dhe letërsisë shqipe.
“Ideja e cila mund të shkojë përpara përmes kësaj marrëveshjeje që ka të bëjë me pasurimin e fondit të dorëshkrimeve që mund t’i shtohet Arkivit Qendror Shtetëror për vetë historinë, historia e letërsisë shqipe është një pjesë e mirë e dorëshkrimeve të shkrimtarëve ka humbur në kohë ose ruhen në arkivat e familjarëve ne do të përpiqemi dhe përmes një bashkëpunimi që kemi nisur me Ambasadën franceze por edhe me Institutin e Studimeve Bashkëkohore në Francë që t’i japë jetë këtij projekti i cili synon të ruaj pikërisht këtë trashëgimi të çmuar e cila nesër do të jetë një fond shumë i mirë jo vetëm për historinë por edhe për studiuesit, për ata që do të merren me studimin e gjuhës, mendimit por edhe të letërsisë shqipe”, u shpreh Bardhyli.
Projektet që do të realizojmë synojnë në hapjen e ekspozitave të përkohshme në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, ku nëpërmjet dokumenteve arkivore, fotografive, objekteve, filmave dokumentarë dhe kronikave filmike do të japin një panoramë të përgjithshme për personalitetet dhe ngjarjet e rëndësishme historike të popullit shqiptar.
Të dy institucionet do të realizojnë botime, konferenca shkencore, ekspozita, aktivitete dhe projekte të përbashkëta, të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencave përsa i përket ekspozimit, ruajtjes dhe konservimit të dorëshkrimeve dhe materialeve të tjera arkivore.



























